Qeveria dhe kryeministri, prej 26 nëntorit, gjenden në një situatë të pazakontë, të pamenduar në fakt, për shkak të tërmetit të tmerrshëm që mori 51 jetë dhe vlerësohet se ka lënë të paktën 14 mijë banorë pa strehë.
Reagimet e para ishin pothuajse instiktive, pasi qeveritë dhe udhëheqësit nuk janë të pajisur me një aftësi ekstranjerëzore në të tilla raste.
Më vonë, ditë pas dite, nxori krye një strategji. Që qeveria, Edi Rama, mund ta përballojnë vetë, dhe madje me sukses këtë krizë të madhe.
Herëdokur, nxjerr po ashtu krye, ideja, se ata mund të dalin edhe më të fortë nga kjo që ndodhi. Dhe këtu ka hyrë në lojë motori më i fuqishëm i rilindjes, propaganda.
Kemi një bombardim frekuent me imazhe të liderit që shfaqet si babai i të gjithëve, që duket human dhe në krah të njerëzve, apo kemi edhe vërshim të informacioneve për ndihmat që po vijnë.
Të gjitha këto për të mbuluar, reduktuar apo zbutur në publik, problemet dhe pasojat e tmerrshme që ka lënë tërmeti. Si edhe ato të dhëna që tregojnë për mungesë besimi të njerëzve, të cilët po zgjedhin t’i çojnë donacionet e tyre në fondacione dhe jo te numrat e llogarisë së ekzekutivit.
Ndërkohë, Edi Rama nuk ka munguar edhe ta thotë hapur, se këtë situatë mund ta përballojë vetëm ai, siç u shpreh edhe në Parlament, se nuk ka më të mirë se ai, dhe se rilindja e tij.
Po pse duhet ta pretendojë kjo qeveri e ky kryeministër në kapërcyell të vitit të gjashtë të qeverisjes këtë konsensus publik, që njerëzit ta konsiderojnë atë si shpëtimtar. Si prijësi që do ringrejë vendin.
A nuk është pikërisht kjo qeveri, kjo mazhorancë që ka prodhuar deri tani 1 mijë kriza, dhe nuk i ka kuruar, nuk i ka zgjidhur, përkundrazi i ka thelluar ato, duke i çuar të gjitha punët aty ku nuk mban më.
Atëherë, pse një qeveri që ka mbjellë në mënyrë sistematike kriza, kërkoka një “mandat”, për të menaxhuar e zgjidhur krizën më të madhe, humane e financiare, të këtyre viteve demokraci.
Është paradoks i pashoq të besosh se këtë mund ta bëjë një qeveri që ka futur vendin në krizë politike, dhe prej saj kryesisht, opozita është jashtë sistemit.
Vështirë të besosh se këtë mund ta bëjë një qeveri që ka e zhytur vendin në krizë institucionale, edhe kushtetuese.
Dhe krejt e vështirë të besosh se këtë mund ta bëjë një qeveri që e ka ngulfatur vendin në një krizë të thellë ekonomike.
Apo, se e zgjidhka këtë çështje, një qeveri që u klasifikua së fundmi nga Banka Botërore, si e treta më e korruptuara në planet.
I vetmi plan solid që duket se ka rilindja, është mbulimi i bombës që ka rënë, me propagandë. Dhe nuk është aspak rastësi, që pikërisht në këtë ditë të qametit, të çohet përpara iniciativa që vendos nën tutelë mediat dhe portalet.
Pra, skema e Edi Ramës është e qartë. Kriza zgjidhet, duke e zhdukur atë nga mediat dhe opinioni publik. Po ajo ka të atilla përmasa, sa sikur xhindi t’i bjerë në dorë kryeministrit, zor se do t’ia dilte.
Mapo.al