Kryesore

A nuk është korrupsioni galopant një arsye për largimin e Ramës?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 01/03/19 |
mapo.al

Korrupsioni është plaga më e madhe në vend, e cila jo vetëm nuk është kuruar, por është zgjeruar. Qeveria nuk mban përgjegjësi, edhe pse korrupsioni është shtuar tani që Edi Rama e ka i vetëm ‘tepsinë’. Madje, madje akuzon opozitën edhe për këtë gjë






Në fund të muajit janar, organizata më e rëndësishme për monitorimin e korrupsionit në botë, Transparency International, publikoi sondazhin e rëndësishëm të vitit. Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e radhiti Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 91-ta me 34 pikë. Raporti që përfshin 180 vende të botës përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar.


Raporti e gjeti vendin në kulmin e një debati mes presidencës dhe opozitës për çështjen e Unazës së Re, një nga skandalet korruptive më të mëdha në historinë e viteve të fundit. Presidenca insiston se tenderi duhet anuluar pasi është një aferë korruptive. Për fat të keq, raporti i Transparency International tregon një përkeqësim. Unë mendoj që është shumë e rëndësishme që SHBA dhe BE të vijojnë në mënyrë më aktive angazhimin e tyre për të ndihmuar në ngritjen e besueshme të institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi, të japin një mbështetje dhe inkurajim më të madh për ONM-në, të cilën ne e vendosëm edhe në Kushtetutë, dhe për vlerësimet e saj, në mënyrë që ne t’i kemi sa më shpejt këto institucione në punë, t’i kemi sa më të besueshme dhe sa më të paanshme, -tha Presidenti Ilir Meta.







Por mazhoranca nuk e mori këtë renditje si një sinjal alarmi. Madje, edhe pse duket e pabesueshme, ajo deklaroi se fajin për situatën e korrupsionit në vend e ka… opozita. Në disa komente publike, ata thanë se në raport thuhet se vendi ka pësuar një ngërç për shkak të krizës politike në vend.




E megjithatë, pavarësisht kësaj mbrojtjeje tipike për mazhorancën e Edi Ramës, e cila prej gjashtë vitesh nuk e sheh asnjëherë problemin te vetja dhe nuk merr kurrë përgjegjësi për situatën, por fajëson opozitën, situata është e rëndë.



Edhe një vit më parë në janar, raporti i organizatës Transparency International mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka radhitur Shqipërinë në vendin e 91-të, duke shënuar kësisoj përkeqësim të gjendjes në krahasim me një vit më herët kur ajo ishte radhitur në vendin e 83-të.

Por përse po zhytet kaq shumë Shqipëria në renditjet e korrupsionit? A nuk duhej të ishin këto dy vitet më të mira për qeverisjen, e cila tashmë thotë se e ka marrë e vetme ‘tepsinë’? A nuk duhet të ishte më e mirë situata në vend pasi Edi Rama pretendoi pas katër vitesh në pushtet se korrupsionin ia bënin aleatët?

Një tjetër shuplakë ndaj qeverisë mbërriti në korrik të vitit të shkuar, jo më pak se nga Departamenti i Shtetit. Një raport i Departamentit të Shtetit citon investitorët e huaj, sipas të cilëve Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Në pjesën për Shqipërinë, raporti i DASH për klimën e investimeve 2018 thotë se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.

Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes, thuhet në raport.

Lexo edhe :  Rrëfehet Edi Rama: Hyra në politikë kur fillova të kem probleme me Nanon

Investitorët, – thotë raporti, – ankohen se zyrtarët përdorin rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose legjislacionin jo konsistent si mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit, – thuhet aty, – ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime të mirëfillta me komunitetin e biznesit.

Investitorët e mëdhenj të huaj njoftojnë për presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët dhe shprehin shqetësimin se gjatë veprimtarisë së tyre në Shqipëri, Akti kundër Praktikave Korruptive me Jashtë nuk gjen zbatim, thuhet në raport.

Raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme, thuhet në raport.

Duke trajtuar çështjen e PPP-ve (kontratat e partneritetit publik privat) në Shqipëri, Departamenti i Shtetit thotë se përdorimi në rritje i këtyre kontratave ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

Sipas raportit të DASH, analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP vazhdojnë të jenë shqetësim. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPP deri në fund të vitit 2017, thuhet në raport.

***

Sa herë në media dalin histori tronditëse korruptive, qeveria e ka një mbrojtje: kjo ndodh edhe në vendet më të zhvilluara në botë. Por historia e Unazës dhe Teatrit, që solli një vërshim protestash të përditshme, tregoi se korrupsioni është vërtet kanceri i një qeverisje. Ai nuk eliminohet duke bërë improvizime, por duke e hequr me një bisturi. Shqipëria prej gjashtë vitesh nuk po vizitohet nga asnjë biznes i madh dhe investimet e huaja e kanë harruar vendin tonë. Studiuesit thonë se kjo ndodh për shkak të korrupsionit. E megjithatë, i vetmi që nuk po e kupton rëndësinë e situatës është kryeministri Edi Rama.

Pasi e ka katandisur Shqipërinë në këtë situatë për korrupsionin, vazhdon akoma të pretendojë se kjo plagë e rëndë luftohet me modernizim. Mirëpo mungesa e garës, koncesionet dhe PPP-të kanë treguar të kundërtën. Rasti i Teatrit Kombëtar alarmoi edhe Bashkimin Europian, kurse historitë me Air Albania dhe Aeroportin e Vlorës po kërcënojnë mundësinë që vendi të hapë negociatat me BE.

Pavarësisht se në media po tentohet të shitet ideja se opozita po pengon integrimin dhe zhvillimin e vendit, fakti më i rëndësishëm është para syve të të gjithëve: korrupsioni qeveritar e ka kapur për fyti vendin. Vetëm 5-6 persona po qarkullojnë nëpër duar tenderat dhe benefitet e pushtetit në vend.

I zgjedhur për herë të parë në vitin 2013 me një program për uljen e pabarazive dhe luftën kundër korrupsionit, socialisti Edi Rama ka dështuar të rikthejë besimin në institucionet e tij. Megjithëse është duke u zbatuar një Reformë në Drejtësi, Shqipëria është tani një nga nxënësit më të këqij europianë, sipas renditjes më të fundit të Transparency International, shkruante së fundmi gazeta e njohur franceze, La Liberation.

Zyrtarisht kandidat për në BE që nga 2014, Shqipëria mund të hapë negociatat e anëtarësimit në qershor, në varësi të përparimit të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, vijon më tej ajo. Ky përparim nuk duket gjëkundi.

Më qartë se kaq?

1


Etiketa: , , , , ,

Pas