“Bomba” e re në qeverinë “Rama 2” duket se ka shkaktuar një “furtunë” tjetër brenda PS. Pas dorëheqjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, PD denoncoi dy ditë më parë me fakte të dokumentuara se vëllai i Fatmir Xhafajt është dënuar në Itali për trafik droge.
Komentet dhe reagimet kanë qenë të shumta, tashmë për të kuptuar se përse vjen pikërisht tani ky denoncim dhe se kush fshihet ekzaktësisht pas tij.
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Rama 1”, Ylli Manjani ka komentuar nëse Tahiri fshihet pas këtij fakti, pasi kujtojmë se Tahiri ditën kur dorëzoi mandatin e deputetit nuk kurseu kritikat për pasardhësin e tij në qeverinë Rama.
“Nuk është betejë opozitare, por është një gjest publik i domosdoshëm. Nëse opozita s’do ta bënte, do të bënte krim. Nuk mund të përjashtohet edhe si një luftë brenda PS, pasi kjo parti ka shumë të tilla. Sigurisht që edhe brenda socialistëve ka pakënaqësira, kur sheh një ministër që është ‘super, super’, që do çdo gjë, patjetër që kolegu bëhet keq. Nuk dua të spekuloj më tej, pasi besoj se Tahiri ka halle të tjera këto kohë dhe nuk i ka të vogla. Këtë avantazh dua t’ja lë opozitës shqiptare që e ka denoncuar dhe është një gjë që duhet pranuar ashtu siç është”, u shpreh Manjani, i ftuar mbrëmë në emisionin “Studio e Hapur”.