Aktualitet

A po hyn qeveria në biznesin e fëlliqur të bailout-eve?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:55 - 25/06/21 |
Klodian Tomorri

Blerja nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i një karabinaje në qendër të Vlorës për 9 milionë dollarë është një precedent i rëndë dhe shumë i rrezikshëm. Praktikisht, ky transaksion përbën rastin e parë të bailout-it në historinë e Shqipërisë, pra shpëtimit financiar të ndërmarrjeve private të falimentuara me paratë e buxhetit të shtetit. Ky është një biznes i fëlliqur.






Eksperienca botërore e bailout-eve ka qenë e kufizuar vetëm në sektorin financiar. Në vitin 2007, kur nisi kriza e madhe, qeveria dhe kongresi amerikan ndërhynë me para publike për të shpëtuar bankat në rrezik falimentimi. Në atë rast bailout-i ishte i motivuar, pasi rrëzimi i bankave mund t’i vinte flakën gjithë sistemit financiar dhe ekonomisë globale.


E megjithatë, përdorimi i parave publike për të shpëtuar bankat private shkaktoi jo pak debate si politike ashtu dhe midis ekonomistëve.
Por ajo që po ndodh në Shqipëri është një fushë edhe më e minuar se kaq. Qeveria po bën bailout, jo në sektorin financiar, por në atë të ndërtimit. Dhe vendimi për shpëtimin financiar të ndërmarrjeve private nuk autorizohet nga Parlamenti, por ideohet nga privatët, iniciohet nga zyrtarë të rëndomtë në zgëqet periferike të zyrave të shtetit dhe realizohet nga qeveria. Kjo është një fuqi, që nuk duhet ta ketë as Parlamenti, jo më burokratët. Aq më tepër në kontekstin e Shqipërisë.







Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është përballur me një bum të madh ndërtimesh me kullat që mbijnë kudo nëpër qytetet kryesore të vendit. Investimet masive në ndërtesat rezidenciale apo dhe ato komerciale kanë rritur jo pak rrezikun për një flluskë. Megjithatë në termat e impaktit publik rreziku ka qenë i kufizuar, pasi edhe në rast crash-i të sektorit, ata që do të paguanin do të ishin kompanitë e ndërtimit. Kush bën investime të gabuara, humbet paratë e veta.

Lexo edhe :  Program qeverie me gënjeshtra


Ky është themeli kryesor i kapitalizmit dhe ekonomisë së tregut të lirë. Por nëse hyn në lojë qeveria, rreziku i flluskës së ndërtimit shndërrohet automatikisht në sistemik, pasi humbjet nuk i paguajnë më ata që bëjnë investimet e gabuara, por qytetarët. Shikoni se sa precedent i rrezikshëm që është ky.



Qytetet e mëdha të Shqipërisë janë të tejmbushura me karabina të shëmtuara. Tashmë që precedenti u vendos qeverinë nuk e ndal dot më askush të përdorë paratë e qytetarëve për të blerë çibanët e falimentuar anembanë Shqipërisë. Imagjinoni për një moment të vetëm nëse kjo do të lejohet të ndodhë në përbindëshat e shëmtuar të betonit, që mbijnë çdo ditë në Tiranë dhe që mund të refuzohen nga tregu?

Është pikërisht ky rrezik se pse ligji e ka kufizuar ndërhyrjen shtetërore vetëm në shpronësimet për veprat publike me rëndësi të veçantë si rrugët, shkollat dhe spitalet. Por në Vlorë, ligji u dhunua. Së pari, përmes procedurave të dyshimta ekstraligjore. Së dyti, përmes futjes në lojë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

FSHZH nuk mund të ketë burime financiare për të ndërmarrë nisma të tilla. Ligji i ka përcaktuar qartë burimet e financimit të këtij institucioni dhe mënyrën se si përdoren ato. Ndaj, me ligj Fondi nuk mund të ketë para për të realizuar blerje godinash.

Të gjitha këto pikëpyetje duhet të jenë objekt auditimi, fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe më pas prokuroria.

Tani KLSH nuk mund të flejë më gjumë, pasi me blerjen e hotelit karabina të Vlorës, është hapur një shteg shumë i rrezikshëm, i cili duhet mbyllur sa më parë. Në të kundërt, paratë e qytetarëve do të fluturojnë për të blerë përbindëshat e betonit të oligarkëve dhe trafikantëve, kur ato refuzohen nga tregu. /mcntv.al

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas