Aktualitet

A po iu nënshtrohet qeveria oligarkëve të sportit?








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:13 - 16/09/20 |
Zef Preci

Të jemi të qartë që në krye të herës. Çfarëdo lehtësie fiskale siç është edhe përshkallëzimi në sistemin e tatim-taksave apo më keq akoma ulja e TVSH në vendet me institucione të dobëta ligjzbatuese si vendi ynë, shoqërohet me rritje të nivelit të informalitetit, rritje të korrupsionit dhe evazionit fiskal. Kjo është një dukuri e kritikuar si nga ekspertët vendës ashtu edhe nga FMN qysh se u ndryshua sistemi fiskal duke kaluar nga taksa e sheshtë në “taksimin e ndershëm” që është në fuqi sot. Për më tepër që qysh prej asaj kohe rezultatet kanë qenë kundër produktive, d.m.th.është shtuar arbitrariteti fiskal, korrupsioni në administratën tatimore, si dhe është rritur informaliteti në vend që të ulej siç ishte premtuar, pa folur edhe për dukuri të tjera që lidhen me rritjen e dukshme numerike të firmave, por që nuk ndikojnë në shtimin e të hyrave buxhetore, por edhe me fenomene deformuese të tilla si moszhvillimi apo rritja e bizneseve “të vogla” për t’u bërë “të mesme”, e atyre “të mesme” për t’u bërë “të mëdha” etj.


E tani vijmë tek ulja e TVSH për sportet nga 20% (si çdo produkt tjetër) në 6% (nivel favorizues) që u përcoll si sihariq nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Siç dihet, nga 1 janari 2019 shkalla e reduktuar e TVSH-së prej 6% aplikohet edhe për:


furnizimin e shërbimit të akomodimit dhe restorantit, me përjashtim të pijeve në strukturat të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit;furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audio-vizive;furnizimin e mjeteve të transportit publik tё licencuar të udhëtarëve me autobus me nëntë plus një vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik, është 6% deri në datën 31 dhjetor 2021. Nga data 1 janar 2022 shkalla e reduktuar e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar që aplikohet për këtë furnizim do të jetë 10%;furnizimin e librave të çdo lloji.


D.m.th. përveç favorizimit të natyrshëm të turizmit, botimeve dhe transportit publik, kësaj radhe favorizimi jo rastësor po i bëhet sektorit të sporteve mbas atij të propagandës (reklamave me masmedian audio-vizuale). Por kjo mendoj se është e padobishme për ekonominë tonë kombëtare, për një numër arsyesh.


Së pari, qenia në një vit krize në një ekonomi që pritet të pësojë një recension të thellë prej 9-10% gjatë vitit në vijim nuk e justifikon një masë të tillë favorizuese të palidhur me zgjerimin e punësimit, me futjen në shfrytëzim të ndonjë pasurie apo me rritjen e fuqisë konkurruese të ekonomisë sonë kombëtare apo me ndonjë përafrim legjislacioni fiskal me BE-në apo me vendet e rajonit.

Së dyti, nëse ndokush mendon se duke bërë favorizime të tilla do të ulë evazionin fiskal të njohur në këtë sektor, mendoj se ka gjetur rrugën e gabuar. Ky evazion lidhet me dobësitë menaxheriale të tij, me përvojat e dëmshme të trashëguara, me përfshirjen e politikanëve dhe të ish-politikanëve në uzurpimin e segmenteve të ndryshme te sportit, me presionin e parave të pista që pastrohen në këtë sektor etj.

Së treti, ndërmarrja e një ndërhyrjeje të tillë favorizuese me pasoja në buxhetin e shtetit në mes të vitit meriton të shihet në një kontekst të fortë lëshimesh ndaj aktorëve dhe faktorëve të fushatës zgjedhore të 2021-shit që tashmë ka filluar. Në këtë këndvështrim është e papranueshme.

Së katërti, nëse besojmë deklarimet zyrtare të zt.Rama mbi rritjen e afërt të premtuar të pagave për punonjësit e shëndetësisë, duhet thënë se kjo fushatë “nderesh” me theks të fortë elektoral me paratë e buxhetit ka rrezik të zgjerohet më tej, duke dëmtuar kështu të ardhurat në një kohë që borxhi publik po merr përmasa të frikshme.

Së pesti, ulja e TVSH nuk është aplikuar as me futjen e teknologjive bashkëkohore, as për pajisjet mjekësore, as për shkencën dhe novacionet në të cilat vendi është në nivelet më të ulëta jo vetëm në rajon por edhe në krahasim me periudhat e mëparshme kur ekonomia jonë ka qenë edhe më e varfër dhe më e pazhvilluar se sot.

Pavarësisht kësaj, kjo masë ka edhe diçka pozitive: shërben si argument për thënien e Benjamin Disraeli-t, politikanit konservator britanik të para dyshekujve, se “të taksosh komunitetin për t’i krijuar avantazhe një klase të caktuar nuk është mbrojtje, por grabitje”.


Etiketa:

Pas