A do ta thellojë Ilir Meta krizën kryeministri- presidencë duke hedhur poshtë edhe kandidaturën e Edi Ramës për ministër të Jashtëm? Kjo është pyetja që gëlon në stafet respektive të të dy institucioneve, që pas intervistët së kreut të shtetit në “Opinion”, kur e la të hapur mundësinë e shqyrtimit brenda afatit treditor.
Por duket se Meta nuk do rrezikojë një tjetër vatër konflikti. Burime për “Panorama” bëjnë me dije se presidenti i vendit, Ilir Meta do të shprehet sot me dekret, ndërkohë që një ditë më parë theksoi se Kushtetuta nuk e ndalon Kryeministrin që të ketë edhe një rol tjetër në kabinetin qeveritar, por duke shtuar se as nuk e lejon një gjë të tillë.
“Këtu jemi në rastin që Kryeministri ka kërkuar të bëhet edhe ministër i Jashtëm. Pra, nuk jemi në rastin që ministri të bëhet Kryeministër apo të marrë ndonjë ministri tjetër, apo ndonjë funksion tjetër. Duhet të kemi parasysh që Kushtetuta nuk detajon dot çdo gjë, prandaj kemi Kushtetutë, prandaj kemi ligje, pastaj në fund fare kemi edhe Gjykatë Kushtetuese, që vlerëson nëse veprimi është bërë apo jo në përputhje me Kushtetutën. Kemi edhe Kuvend që shikon dekretin nga ana kushtetuese. Presidenti ka të drejtën të bëjë interpretimin edhe fillestar të Kushtetutës në një rast të tillë”– deklaroi dje Meta gjate nje interviste në emisionin “Të paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në televizionin “News 24”.
Sipas kreut te shtetit, Kushtetuta as nuk e presupozon në mënyrë të qartë që Kryeministri mund të ketë ndonjë funksion tjetër brenda kabinetit, por as nuk e përjashton në një mënyrë të qartë këtë.