Sistemet e ngrohjes së shtëpive kineze me çmime të ulëta po fajësohen për rritje masive të emetimit të gazrave, duke e dëmtuar rëndë shtresën mbrojtëse së Tokës, ozonin.
Nga Matt McGrath, BBC
Agjencia e Hetimeve Investigative (EIA) gjeti përdorim të gjerë të CFC-11 në Kinë, edhe pse kimikati u ndalua plotësisht në 2010.
Shkencëtarët kanë qenë ekstremisht të habitur nga emetimi në rritje i këtij gazi. Por ky raport sugjeron se burimi kryesor është industria kineze e ndërtimit të shtëpive. Vetëm para dy muajsh, shkencëtarët publikuan një kërkim që tregonte se braktisja e përdorimit të CFC-11 pasi u ndalua plotësisht para 8 vjetësh ishte ulur, por jo ndaluar.
Kishte dyshime ndërmjet shkencëtarëve që emetime të reja të këtij gazi po ndodhnin në Azinë Lindore.
Disa ekspertë ishin të shqetësuar se kimikatet po përdoreshin në mënyrë sekrete për të detonuar uranium që të përdorej për armë bërthamore. Realiteti dukej se ishte më shumë për ngrohje se sa për procese bërthamore.
CFC-11 është një agjent shumë efiçent ‘fryrës’ për shkumën e polietanit, duke e ndihmuar të zgjerohet në një izolues termal të qëndrueshëm që përdoret në shtëpi për të reduktuar faturat e energjisë dhe për të reduktuar emetimin e karbonit.
Kërkuesit shkencorë nga EIA, një grup fushatash ambientaliste, kontaktoi fabrika prodhuese shkume polietani në 10 provinca të ndryshme përgjatë Kinës. Nga diskutimet e tyre të detajuara me ekzekutivët në 18 kompani, hetuesit dolën në konkluzionin se kimikati është përdorur në shumicën e sasive të polietanit që firmat prodhojnë.
Një shitës i CFC-11 tha se rreth 70 % e shitjeve kryesore të Kinës përdorin gazra të paligjshëm. Arsyeja është shumë e thjeshtë- CFC-11 ka cilësi më të mirë dhe çmime më të lira se burimet alternative. Autoritetet e kanë ndaluar CFC-11, por masat që janë marrë në terren janë të dobëta.
“Ne ishim absolutisht të tronditur kur zbuluam se kompanitë konfirmuan hapur se kishin përdorur CFC-11, teksa e pranonin që ishte e paligjshme,” tha për BBC, Avipsa Mahapatra nga EIA.
“Nga fakti që ishin kaq të vetëdijshëm, fakti që na e thanë aq hapur sa e përhapur është në treg, për ne ishin zbulim tronditës”.
Shkencëtarët, të cilët e theksuan të parët problemin me CFC-11, thanë se zbulimet e EIA dukeshin të arsyeshme, edhe pse ishte e vështirë të ishin përfundimtare.
Dr. Stephen Montzka nga Administrata Kombëtare Amerikane e Oqeaneve dhe Atmosferës (NOAA) i tha BBC: “Përhapja e gjerë e përdorimit të CFC-11, që u vu re në Kinë, bazuar në vëzhgimin e tyre ishte interesante, edhe pse është e vështirë për mua të llogaris me saktësi se çfarë sasie të gazit ata emetojnë për të ditur në të vërtetë a ka gjasa që ky aktivitet mund të shpjegojë të gjithin ose pjesën më të madhe të realitetit që po vërejmë në atmosferë”.
Pse është kjo e rëndësishme?
Kjo ka një rëndësi të madhe sepse sasia e kimikatit të dëmshëm që po përdoret ka potencial për të kthyer pas rikuperimin që po ndodh në shtresën e ozonit.
Shkuma e polietanit përbën një të tretën e prodhimit global, pra nëse ata po përdorin në mënyrë predominuese një substance që gërryen ozonin, do të vonojë mbylljen e vrimës së ozonit për më shumë se një dekadë.
Përveçse mbi shtresën e ozonit, CFC-11 ka një efekt ngrohjeje. Kërkuesit kanë vlerësuar se nëse përdorimi i kimikatit vazhdon, do të ishte ekuivalente me CO2 e cliruar nga 16 stacione energjie qymyri çdo vit.
Çfarë mund të bëhet?
Kina e ka nënshkruar Protokollin e Montrealit, që thotë se përdorimi i substancave që dëmtojnë shtresën e ozonit, shoqërohet me sanksione në shkëmbimet tregtare. Gjithsesi, ky protokoll u nënshkrua në vitin 1987, kjo masë e shkallës së fundit nuk është përdorur kurrë e ka gjasa të mos përdoret as në këtë rast.
Ajo çfarë mund të ndodhë është që Kina do të inkurajohet të ndalojë prodhimin e CFC-11 dhe të lançojë një hetim gjithëpërfshirës me mbështetjen e sekretariatit të Protokollit të Montrealit.
“Është kritike për qeverinë kineze të mos i trajtojë këto raste si incidente të izoluara,” thotë Avipsa Mahapatra nga EIA.
“Ne duam që ata ta ndalojnë këtë fenomen, por është shumë e nevojshme për ata që të ndërmarrin një hetim të plotë në këtë sektor. Duhet të rezultojë në ndalime, në arrestime, që njerëzit ta kuptojnë se ka ndëshkime të ashpra për prodhimin e CFC-11”.
Delegatët e Protokollit të Montrealit do të takohen këtë javë në Vienë dhe ata do mundohen të ngrenë një plan për ta zgjidhur çështjen.
Çfarë është Shtresa e Ozonit dhe pse është e rëndësishme?
Ozoni formohet në stratosferë diku te 15 deri në 30 km mbi sipërfaqen e Tokës nga ndërveprimi i rrezatimit diellor ultraviolet me oksigjenin në ajër. Në këtë vendndodhje, ozoni i sapoformuar e përthith rrezatimin diellor, duke e ndaluar shumicën e tij të arrijë tokën. Kjo është e rëndësishme sepse rrezatimi ultraviolet mund të çojë në kancerin e lëkurës dhe dëmtimin e syve te njerëzit, mund të dëmtojë të korrat dhe jetën nënujore.
Si u zbulua Vrima e Ozonit?
Shkencëtarët u surprizuan në vitin 1985, që kishte një rënie prej rreth 30% të niveleve të Ozonit mbi Antarktikë në tetor të atij viti. Në 1992, vrima ishte aq e madhe sa Amerika Veriore.
Ajo që po ndodhte ishte se kimikatet të quajtuara kloro-fluoro-karbon që gjenden në frigorifer, ajër të kondicionuar, në paketime, sisteme ngrohëse po çlironin klor dhe brom kur ata ekspozohen në rrezatime të fuqishme ultraviolet lart në stratosferë.
Kur atomet e klorit dhe bromit bien në kontakt me ozonin, ata i shkatërrojnë molekulat. Një atom klori mund të shkatërrojë 100,000 molekula ozoni përpara se të largohet nga stratosfera. Ozoni shkatërrohet shumë më shpejt nga sa formohet natyralisht.
Çfarë bëri bota?
Një herë të vetme, bota veproi shpejt dhe efektivisht. Shumica e vendeve, duke përfshirë edhe industritë kimike, nënshkruan Protokollin e Montrealit që shpejt ndaloi kimikatet më famëkeqe. Vendeve në zhvillim iu dha më shumë kohë për ta zëvendësuar gazin. Kështu që, ndërkohë shumica e vendeve të zhvilluara e hoqën qafe CFC-11 në mesin e viteve 1990, teksa Kina dhe të tjerët pritej ta hiqnin qafe plotësisht në 2010. Në mënyrë të dukshme kjo nuk ka ndodhur akoma.
Menduam se shtresa e ozonit po rikuperohej?
Në 2014 studiuesit raportuan shenjat e para të trashjes së shtresës së ozonit. Në atë pikë ata thanë se do të duhej një dekadë që vrima të fillonte të tkurrej, por në shtator 2015 shkencëtarët zbuluan se vrima ishte rreth 4 milion km më e vogël seç ishte në vitin 2000- sa sipërfaqja e Indisë.
E gjitha kjo falë ndalimit të CFC-11. Prandaj ishte një surprizë e madhe për shkencëtarët kur zbuluan se ndalimi i pritshëm i këtij elementi në fakt nuk kishte ndodhur. Dhe tani sipas EIA, arsyeja e ngadalësimit të rikuperimit të shtresës së ozonit është zbuluar- dhe shkaku kryesor është industria kineze e ndërtimit.
Përktheu për Mapo.al, Shaqir Sulaj