Udhëzimi i dalë së fundmi nga kryesia e PD për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë apo kryetarë bashkie, ka qënë një prej temave më të debatuara në publik.
Ka krijuar entuziasëm tek anëtarësia, ka mërzitur ndoshta jo pak funksionarë e zyrtarë të kësaj partie, ka ngjallur simpati tek një pjesë e mirë e opinionit, dhe ka marrë gjithë vemendjen e kritikëve dhe kundërshtarëve publikë të PD-së dhe lidershipit të saj.
Sikur vetëm nga ky reagim masiv, nisur nga ndonjë teori e PR-it, ja ka vlejtur.
Por, përtej kësaj, interesante është të dallosh, nëse në atë udhëzim gjenden sinjale, gjurmë që tregojnë një model se si ka ndërmend të sillet kjo forcë politike në rastin e rrotacionit.
Dhe të tilla shenja ka.
Një gjë që bie në sy, është se, udhëzimi rrëzon privilegjet, pra redukton pushtetin e madh të disa njerëzve. Duke i bërë kryetarët e degëve në rrethe të zgjedhin. Ata s’mund të mbajnë gjithë vulat dhe s’mund të pretendojnë çdo lloj pushteti. Kjo është një premisë që nëse zbatohet edhe nesër në qeverisje, nuk do të lejojë akumulimin e vendimmarrjes në pak duar.
Do ketë shpërndarje horizontale. Pra do ketë më shumë demokraci, konsensus, rregulla loje. Më pak të “fortë”. Kur pushteti përqendrohet në pak duar, shanset për abuzim e korrupsion janë shumë të mëdhaja.
Po ashtu, në atë udhëzim dallohet një përpjekje e ashpër për të kaluar në filtër integritetin e personave që pretendojnë të marrin përfaqësim politik. Aq të shumta dhe kërkuese janë letrat dhe kushtet, sa që në fillim ato shkurajojnë njerëz edhe të zakonshëm, për më shumë ata botës së errët, që nuk janë të pajtueshëm me kriteret strikte për të shkuarën e personave.
Caktohet kësisoj një lloj modeli. Se me kë ka ndërmend nesër të qeverisë kjo parti. Ata me precedentë ose të dyshimtë, përsa i përket integritetit, lihen jashtë që tani në garën brenda partisë.
Duke vendosur këtë standard, PD cakton një vijë sjelljeje, se kush është i preferuar edhe nesër në ekzekutiv.
Fakti që kandidatët e mundshëm do të duhet të rropaten për të fituar simpatinë e anëtarësisë, dhe për të marrë vota e mbështetje, konfiguron në këtë mënyrë një tjetër moment që duket se ka sanksionuar kjo forcë politike. Që është merita, puna. Pra nuk ka asgjë të mirëqënë. Duhet secili të arrijë vetë, dhe nëse ndodh siç thotë dokumenti, do të kemi hapje reale, shanse, dhe mundësi për të gjithë. Bien njohjet, kontaktet dhe lidhjet e shkurtra.
Sikur vetëm këto elemente të udhëzimit të zbatojë në pushtet Partia Demokratike, do të ishin një garanci e fortë që do të kemi një qeverisje të mirë. Gjithsesi, ngelet për t’u parë. Procesi që do të ndodhë brenda partisë këto dy muaj, nëse shkon sipas këtij parashikimi, do të krijojë frymën e duhur dhe do të ishte gjysma e punës drejt rrotacionit.
Sepse do të prodhonte besim edhe përtej bazës dhe mbështetësve.
Ashtu si, nga ana tjetër, do të sillte dëm të rëndë dhe skepticizëm, nëse me këtë udhëzim e me këtë moment të artë do të bëhej kompromis, kur sytë e të gjithëve janë drejtuar tashmë nga PD.