Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas shkarkimit të Valdete Dakës nga posti i kryetares së KQZ-së.
AAK e konsideron shkarkimin e Dakës praktikë të paparë institucionale dhe dëshmon për të disatën herë kapjen e shtetit.
“Sulmi në institucionet e menaxhimit të zgjedhjeve, është tregues i tentimit për vendosjen e autokracisë, fenomen për të cilin Aleanca ka tërhequr vërejtjen shumë kohë më parë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, arsyetimet e dhëna për shkarkimin e Dakës janë të pasakta, sepse para shkarkimit i është kërkuar dorëheqja në këmbim të mirënjohjes.
“Ky është tregues i qartë i mënyrës së qeverisjes qe po tentohet të instalohet në vendin tonë. I bëjmë thirrje qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndalojë përpjekjet për kapjen e shtetit dhe arrogancën e numrave”.
AAK thekson se Kosova është Republikë Parlamentare me demokraci të konsoliduar dhe si e tillë funksionon dhe është pranuar nga shumë shtete dhe se këto praktika jodemokratike duhet të marrin fund.
LEXO EDHE:
Vjosa Osmani i kërkoi dorëheqjen, shkarkohet kryetarja e KQZ në Kosovë