Mapo Letrare

Abaz Dojaka në dy kohë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:00 - 14/09/19 |
Nga Enver Kushi

Nga Enver Kushi






Abaz Dojaka në dy kohë (dhe një e tretë: ajo e ringjalljes)


Më ndodh shpesh, veçanërisht kur në vetminë time eci rrugëve të Tiranës, kujtoj miqtë apo të njohurit i mi krijues… Jo të gjallët, por ata që kanë shkuar përgjithmonë, duke na lënë si “në ëndërzë”, siç ka shkruar motmotit arbëreshi i madh De Rada. I mungon Tiranës Petro Markua brilant e i papërsëritshëm në letrat shqipe, fisniku Feim Ibrahimi, Fatmir Haxhiu i vrullshëm dhe një nga miqtë e mi më të mirë, Çesk Zadeja që dukej sikur notonte  në oqeane notash muzikore, Tish Daija që nuk u plak kurrë, enciklopedisti i rrallë Dhimitër Shuteriqi, Dalan Shapllo me ecjen e tij prej shenjtori, Prof. Ramadan Sokoli, Vath Koreshi, një nga prozatorët e mirënjohur dhe mik i shumë brezave të krijuesve shqiptarë, poeti dhe prozatori i shquar Dritëro Agolli, kompozitori Aleksandër Lalo, princi i koreografisë shqiptare Panajot Kanaçi dhe Agron Aliaj, si dhe Engjëll Tershana i paperseritshëm, skulptori Kristaq Rama, piktori Vilson Kilica, regjisorët Xhanfize Keko e Viktor Gjika, etj, etj.







Eci rrugëve të Tiranës dhe meditoj për jetën, misteret e saj, botën e madhe të krijuesve, për vdektarët e zakonshëm dhe për të tjerë vdektarë të  racës njerëzore, që lënë pas jo vetëm emrin e mirë, por edhe veprën e tyre ose thënë  ndryshe, lënë përjetësinë… Dhe një prej tyre që ka vite që i mungon Tiranës, është edhe Abaz Dojaka, studjuesi i mirënjohur i kulturës popullore shqiptare, çami fisnik që i ka papritur, atëhere kur nuk duhej të ikte, sepse humbi jo vetëm shkenca, por humbi edhe Çamëria një nga bijtë e saj më të mirë. Dhe më ndodh, që sa herë kaloj në rrugën e Kavajës, një zë i brendshëm më thotë që të kthehem djathtas, në rrugicën ku shoh tashmë ish godinën karakteristike, përballë asaj të ish Radio Tiranës. Godina është po ajo: e vjetër, me copa suvaje të rëna, grila dalë boje dhe ca pemë të moçme fiku e hide… Ka vite që atje nuk hyjnë më Zihni Sako, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Beniamin Kruta etj. E megjithatë zëri i brendshëm më thotë që të futem në katin e parë të asaj godine tashmë të braktisur e të rrënuar dhe të trokas në zyrën e Abaz Dojakës. Është e kotë të trokas në këtë zyrë, që tashmë është e braktisur, si e gjithë godina e ish Institutit të dikurshëm të Kulturës Popullore.




Kthehem pas dhe rrugëtoj në labirintet e misterit kohë. Unë e marr kohën në duar. Marr ditët, javët, muajt, stinët dhe vitet e saj… Dhe si magjistar e kthej pas atë, duke e ribërë kohën e shkuar… Dhe miku im Abaz Dojaka më vjen në kohë të ndryshme ashtu siç ka qenë ai: fisnik e i mirë, aristokrat në sjellje, i këndshëm në biseda, i pasionuar dhe i dashuruar për kulturën popullore shqiptare, gjithmonë i përmallur për Çamërinë… E në këto shënime modeste, dua ta sjell Abaz Dojakën në dy kohë.



KOHA E PARË

Tirana është gri. Ka kaluar një verë e nxehtë dhe e trazuar. Ndonëse ende jemi në ditët e fundit të gushtit, ndjehen gjëmimet dhe vetëtimat e vjeshtës së parakohshme. Në biseda, titujt e shtypit, lajmet e të vetmit televizion, komentet e radiove të huaja si “Zëri i Amerikës” apo BBC, flitet për ngjarjet e korrikut, futjen e qindra shqiptarëve nëpër ambasada, krizën e sistemit komunist në Shqipëri dhe afrimin  e fundit të tij. Tirana është gri dhe ka shumë ankth kryeqyteti shqiptar.

Dhe në një ditë gri ankthi tiranase, takova Abaz Dojakën. E ndërsa po uleshim në një nga lokalet e rrugës së Kavajës, ai më tha se e kishte marrë vesh jo vetëm udhëtimin gati një mujor në Kalabri, por edhe për shkruarjen time në Çamëri. Të ka folur Beniamin Kruta, thashë unë. Ai pohoi me kokë dhe pastaj tha: “Je me fat. Me shumë fat që pe me  sytë e tu Çamërinë. Nuk do t’i harroj kurrë ato çaste. Nuk mbaj mend sa kohë kaluan me Abazin në lokalin e rrugës së Kavajës. Sepse koha atje ishte ndryshe: pa grinë dhe ankthin e Tiranës në ato ditë pragvjeshte të vitit 1990. Unë flisja shpejt dhe me emocion, ndërsa ai më ndiqte me vështrimin e butë e të përmallur. I fola për mëngjesin e paharruar kur nga Korfuzi m’u shfaqën brigjet e Çamërisë për Gumenicën si të larë me dritën e diellit, për udhëtimin drejt Filatit dhe Spatarit, për gurin dhe degën e ullirit që kisha marrë në Spatarin tim, për gjuhën shqipe që flitej në Gumenicë, Filat, Spatar, Kastri… Pashë edhe shtëpinë tënde në Filat, thashë unë: Kaq thashë dhe e ndala rrëfimin tim. Nuk mund të vazhdoja më gjatë. Kisha ndalur në stacionin e shpirtit të Abaz Dojakës ose diku përtej atij që quhet shpirt. Ai nuk fliste. Nuk do të harroj kurrë atë çast, nuk do të harroj kurrë heshtjen e tij dhe vështrimin e papërcaktuar… Ai nuk ishte në Tiranë, por qindra kilometra larg, në Filatin e tij të dashur. Abaz Dojaka vraponte në ca kohëra të tjera, përtej kohës sonë… Sepse unë që vija nga Filati i lindjes dhe fëminisë së tij, i kisha ringjallur kujtime, duke i sjellë në Tiranën e ankthshme, aromën e fëminisë dhe të Çamërisë.

KOHA E DYTË

Është i njejti vit, me një vjeshtë të trazuar, gri dhe të ankthshme… E hirtë, me mjegullat e papritura mëngjeseve, ikjen e beftë të Kadaresë, zhurmën mediatike, fjalimet e Ramiz Alisë mbledhjet e përditshme të Byrosë Politike, ajo vjeshtë e vitit 1990 dukej qartë se paralajmëronte jo ardhjen e dimrit, por të një stine tjetër me emrin “demokraci” apo “pluralizëm partiak”. Dhe në këtë stinë, ose me saktë në kohën e fillim demokracinë shqiptare (protodemokracisë), unë dhe disa intelektuale të tjerë çamë, si Bashkim Kuçuku, Petrit dhe Ilmi Kasemi, Hasan Minga, Ballkiz dhe Manushaqe Halili, Ilmi dhe Lutfi Saqe, Sali Bollati, Nexhat Mergjyshi, Arben Kondi, ish ushtaraku Resul Taipi, Laurant Bicaj etj. etj, do të mblidheshim rreth Abaz Dojakës për të krijuar Shoqërinë Politiko-Atdhetare “Çamëria” E nënvizoj “rreth Abaz Dojakës”, sepse ishte ai nismëtari ose njeriu që u bë epiqendra e bisedave, takimeve, debateve për krijimin e Shoqërisë “Patriotike-Atdhetare Çamëria”.

Në zyrën e tij tek Instituti i Kulturës Popullore, pastaj në kafenenë e preferuar te rruga e Kavajës, në zyrën time në Komitetin e Kulturës dhe Arteve, ku unë punoja drejtor i Drejtorisë së Kulturës dhe nuk do harroj kurrë ndihmën e pakusyer të Moikom Zeqos, që ato kohë u vu në krye të këtij Komiteti, si ministër i Kulturës dhe ditë të tjera në studion e skulptorit të talentuar Ilmi Kasemi, ishin vendet ku Abaz Dojaka na mblidhte e ku rriheshin mendime për statutin dhe programin e shoqërisë “Çamëria”, të ardhmen e saj, vendin dhe rolin që ajo do të luante në sistemin pluralist shqiptar, si dhe detyrat që na delnin të gjithëve për njohjen e opinionit shqiptar me Çamërinë, historinë dhe dramën e saj të dhimbshme si dhe zgjidhjen e problemit çam… Pasionin e Abaz Dojakës për krijimin e Shoqërisë P.A. Çamëria” unë i shihja si vazhdim i dy momenteve të mëparshme të historisë çame: atë të patriotit Beqo Izeti (Kushi), i cili në vitet 1918-1919, bashkë me patriotë të tjerë çamër, në Uester Mass të SHBA krijoi shoqërinë “Çamëria” dhe atë të antifashistëve, që në shtator të vitit 1945, mblodhën në Vlorë Kongresin Antifashist Çam…

Dhe në ato ditë, unë shkrova një skicë të shkurtër, që e titulloja “Hapeni derën”, ku jepja emocionet për krijimin e Shoqërisë Politike Atdhetare “Çamëria – vatra Amtare”… Ne po rihapnim derën e madhe të endrrës sonë, duke ringjallur shpresat për zgjidhjen e çështjes çame… Dhe vargu naimjan “U ngrit fati Shqipërisë si i vdekuri nga varri”, mua më tingëllonte “U ngrit fat i Çamërisë si i vdekuri nga varri”!

Abaz Dojakës i takonte të ishte në krye të shoqërisë “Çamëria”. Dhe ashtu u bë: Ai u zgjodh në unanimitet të plotë kryetar i shoqërisë… Abaz Dojaka kishte kulturën e gjerë, zgjuarsinë, maturinë, diplomacinë, largpamësinë e duhur, njohjen e gjerë dhe simpatinë e rretheve intelektuale të Tiranës dhe Shqipërisë. Ai ishte njohës dhe studiues i shkëlqyer i kulturës popullore  shqiptare si dhe i historisë, traditave, psikologjisë çame… Abaz Dojaka kishte vizion të qartë për zgjidhjen e problemit të madh, por edhe të ndërlikuar çam. Nën drejtimin e tij, Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria”, arriti kulmin e veprimtarisë dhe pjekurisë së saj. Abaz Dojaka, me personalitetin e tij dhe aftësitë organizative, iu imponua politikës shqiptare. Dhe jo vetëm asaj. Ai  arriti t’i imponohet edhe diplomacisë së huaj. Ai ishte i mirëpritur për të bërë të njohur problemet e Çamerisë në të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë, përfshirë edhe ambasadën e Republikës Greke. Mbaj mend, pasi ai doli nga takimi me një funksionar të lartë të ambasadës greke, më foli gjatë për pritjen dhe bisedën e zhvilluar, si dhe atmosferën e ngrohtë të krijuar atje…

Ky ishte Abaz Dojaka, njeriu dhe patrioti, intelektuali i shquar çam, drejtuesi i pazëvendësueshëm i Shoqërisë P.A“Çamëria”, për të cilin sado të flasësh e të shkruash, prap mbetet diçka e pathënë apo e pa shkruar… vdekja e tij ishte e parakohëshme. Çamëria humbi një nga bijtë e saj më të mirë. Endrra e tij për ribërjen e Çamerisë, befas u ndërpre. E megjitatë ajo endërr nuk është shuar. Sepse Çamëria dhe ëndrra e Abaz Dojakës dhe e qindra patriotëve të tjerë çam janë më pranë se kurrë ndonjëherë tjetër. Jam i bindur se kur të bëhet realitet kjo endërr, unë do të shkruaj për një kohë të tretë: kohën e ringjalljes së Abaz Dojakës, kohën e ringjalljes së Çamërisë sonë martire.

 

 

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas