Ministrja e Financave Anila Denaj ka paralajmëruar se javën tjetër do të ketë emra konkretë të kompanive si dhe numrin e inspektorëve doganorë që do të shkojnë për masa disiplinore pasi nuk kanë kryer detyrën e tyre. Deklaratën e bëri në një konferencë të përbashkët me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Arlind Gjokuta, me fokus karburantet dhe mallrat e akcizës.
Ajo tha se procesi kundër informalitetit nuk mund të shkojë vetëm me gjobitje të bizneseve për të cilat ka parregullsi por sigurisht edhe për ata inspektorë që në vite kanë lejuar që këto parregullsi.
“Takimi ynë i radhës do jetë javën e ardhshme. Drejtori e përmendi që ne jemi duke përfunduar dhe këtë javë kontrollin në të gjitha pikat doganore, jemi duke përfunduar gjithë procesverbalet. Do të flasim javës tjetër me shifra dhe me emra kompanish dhe me numër inspektorësh të cilët do të shkojnë për masa disiplinore pasi mendojmë se ky proces nuk mund të shkojë vetëm me gjobitje të bizneseve për të cilat ka parregullsi por sigurisht edhe për ata inspektorë që në vite kanë lejuar që këto parregullsi të mos evidentohen dhe të mos krijojnë këtë ngërç operacional, i cili sot është fokusuar totalisht për të gjithë ne. Nga ana tjetër është një vëmendje që na tregon se ka shumë gjëra për të përmirësuar brenda administratës sonë dhe jemi duke punuar paralelisht edhe për të përmirësuar administratën doganore në veçanti”, theksoi ministrja Denaj.
Dy ditë më parë, është zbuluar një depozitë me kafe të pjekur me një sasi totale prej 76 mijë kilogram e cila nuk kishte shlyer detyrimet doganore. Detyrimi i munguar i akcizës është rreth 4.6 milionë lekë dhe krahas kësaj shume, subjektit që kishte në pronësi kafen është gjobitur me 13.8 milionë lekë, duke e çuar në total detyrimin që duhet të paguajë subjekti në vlerën e 18.4 milionë euro ose thënë ndryshe 150 mijë euro.