Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamzës është vënë nën hetim nga ana e prokurorisë së Tiranës, për abuzime me tenderat. Bahri Musabelliu është paraqitur gjatë paradites së sotme në Prokurori, ku ka dhënë dhe dëshminë e tij për akuzat e ngritura.
Hetimi ndaj Musabelliut ka nisur pas dyshimeve se rektori i Universitetit Bujqësor ka përfituar fondet publike përmes praktikave korruptive të ndjekura në disa tenderime. Bëhet fjalë për rikonstruksionin e murit rrethues dhe të një porte të universitetit, për të cilat ishte lëvruar një fond prej 640 mijë Dollarësh, një pjesë e të cilave dyshohet se janë përvetësuar nga Musabelliu përmes personave të tretë.
Kanë qenë agjentët e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit që kanë konstatuar shkeljet dhe pas kësaj kanë kallëzuar rastin në prokurorinë e kryeqytet që ka nisur menjëherë hetimet. Sakaq hetuesit janë duke verifikuar praktikën e ndjekur për të gjithë tenderat mbi mënyrën se si janë fituar dhe që mbajnë firmën e Rektorit, Bahri Musabelliu.
Ky hetim ndaj Musabelliut vjen në një kohë kur ka pasur përplasje mes UBT-së dhe Bashkisë së Tiranës, lidhur me ndërtimin e një shkolle 9-vjeçare në zonën ku është fidanishtja e Universitetit.