Me gjithë përditësimet që bëri sot agjencia e njohur e lajmeve Dojçe Vele, në fund del e qartë se Edi Rama ka prekur në Berlin acarin më të fortë të karrierës së tij politike.
Nuk është puna vetëm se nuk e takoi kancelarja Merkel, por nuk gjetën kohë për të, as dy deputetët më të rëndësishëm të CDU-CSU, Johann Wadephul, dhe Günther Krichbaum.
Pra, ai u refuzua me tërësej.
U refuzua edhe pse kësaj radhe shkoi në kryeqytetin më të rëndësishëm të Europës, me një siguri shtesë, si kryesues i OSBE-së.
Do shihni në vijim lloj-lloj marifetesh të propagandës së tij, për të treguar se, nuk ishin parashikuar takime atje.
Por Dojçe Vele, me gjithë freskimet që i bëri raportimit, me gjithë ndryshimet në tituj apo tekst, me zhvillimet më të fundit, një gjë e la të paprekur.
Rama ishte në Berlin për lobim, me shpresën për të ndikuar në hapjen e negociatave në konferencën e parë ndërshtetërore që do të mbahet së shpejti, dhe se, ky lobim dështoi.
Nuk i ka sjellë fat kryeministrit as vetë Taulant Balla që e kishte me vete në këtë vizitë. Është për t’u habitur se si shefi i rilindjes priste një tjetër rezultat, kur vijon të bëjë të njëjtat gabime.
Kur Bundestagu me anë të një rezolute i kërkoi të punojë me zgjedhjet, të ndëshkojë krimin elektoral, e të mos e ndryshojë marrëveshjen e arritur mes partive, Edi Rama me sa duket nuk e mori seriozisht.
Madje, ai hodhi romuze e kritikoi deputetët e Bundestagut pse ndërhyjnë në punët e një parlamenti dhe vendi sovran si Shqipëria.
Dhe pas kësaj, pret që të pozojë sërish me Merkel, apo ta begenisë Whadephul. Nuk do shumë mend për të kuptuar se negociatat me Shqipërinë zor se do të hapen.
Dhe kjo, jo sepse ne nuk e meritojmë, apo se dikush ka ndonjë inat me shqiptarët. Nuk do të hapen sepse Edi Rama u tall me kushtin kryesor që integrimi kërkoi, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Dhe këtë, thjesht e vetëm për interesin e tij personal, për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet.
Një zot e di se si pretendon të kapardiset në Tiranë si autokrat e sundues mesjetar, e njëkohësisht të vazhdojë të mahnisë Berlinin si artisti i madh me batuta të zgjedhura.
/MAPO.AL/