Aktualitet

Admir Tafili e Asmer Bilali, ‘të fortët’ që mbanin celular në qeli






               Publikuar në : 08:44 - 21/05/19 |
mapo.al

Një aksion “Blic” i Shërbimit për Kontrollin e Brendshëm në Burgje, ka zbuluar se persona të cilët cilësohen si “të fortë”, mbajnë celular në qeli. Aksioni ka zbuluar se Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm, prej kohësh mbante celularin në qelinë e tij. SHKBB i ka sekuestruar telefonin Admir Tafilit, ndërkohë që pritet të merren masa edhe ndaj drejtuesve të burgut.


Celular i është gjetur edhe Asmer Bilalit, anëtarit të grupit kriminal “Bajri” në Shkodër. Gjatë kontrollit të ushtruar në burgun “313” në Tiranë Bilalit, që rreth dy muaj më parë iu vra i ati dhe xhaxhai në atentat në Shkodër i është gjetur një celular ‘iPhone 5’. Kontrolli ka qenë i befasishëm dhe sapo ka parë efektivët, Bilali e ka hedhur celularin në tualet, por kjo nuk e ka shpëtuar, pasi telefoni është sekuestruar.

Një ditë më parë ka qarkulluar një video në rrjetet sociale, ku vet Safet Bajri kishte celular dhe televizor në qeli. Ende nuk dihet nëse i janë sekuestruar.

Ndërkohë SHKBB i ka gjetur celular edhe anëtarit të bandës së Gaxhait në Vlorë, Edmond Leskajt. Leskajt i janë gjetur dy telefona celularë të fshehur poshtë derës së frigoriferit. Telefonat janë gjetur në momentin që Leskaj dhe shoku i tij Leo Osmënaj po transferoheshin nga Peqini në burgun e Drenovës në Korçë.

Zbulimi i celularëve tregon se burgjet në Shqipëri kontrollohen nga të dënuarit të cilët cilësohen si “të fortë”. Po kështu kjo situatë shton dyshimet se gardianët dhe drejtuesit e burgjeve janë të përfshirë në futjen e sendeve të paligjshme në qelitë e të dënuarve.


Etiketa: , , ,

Pas