Një 17-vjeçar i armatosur dhe i maskuar ka tentuar të grabisë gruan e moshuar në shtëpinë e saj. Policia arreston edhe babanë e tij, për armëmbajtje pa leje
Korçë- Rikthehen maskat në juglindje të vendit. Një 17-vjeçar shkoi të grabiste me kallashnikov një të moshuar, por prangoset nga policia, së bashku me babanë. Strukturat e Seksionit Kundër Krimeve të Rënda kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të B. Ramollit, 17 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje në bashkëpunim, si dhe babait të tij Edmond Ramolli, 51 vjeç, banorë të fshatit Floq në rrethin e Korçës. Arrestimi i tyre, sipas policisë, është bërë për tentativën e vjedhjes së kryer nga adoleshenti dhe mbajtjen e armës në shtëpi nga babai i tij Edmond Ramolli. Policia e Korçës bëri me dije se mesnatën e kaluar, rreth orës 02:00, adoleshenti ka shkuar i maskuar dhe i armatosur, me qëllim vjedhjen, në banesën e shtetases me inicialet H.D., 71- vjeçare dhe e ka goditur këtë të fundit me tytën e automatikut në pjesën e kokës, duke i shkaktuar plagë të lehta. Goditja e së moshuarës erdhi pas refuzimit të saj për t’i dhënë para Ramollit, ndërsa ky i fundit ka kërkuar më pas në të gjithë shtëpinë, pa mundur të gjejë asnjë lek. Denoncimi në polici është kryer nga e moshuara, ndërsa vetëm pak orë më vonë policia ka mundur të zbardhë sulmin me armë dhe autorin e saj. Por prangave nuk i ka shpëtuar as babai i adoleshentit, pasi arma me të cilën u krye grabitja mbahej prej tij pa leje në shtëpi. Sipas policisë, arma të cilën B.Ramolli e mbante me vete i përkiste pikërisht babait të tij, shtetasit Edmond Ramolli. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: arma e zjarrit automatik kallashnikov, model 56, një sasi fishekësh prej 392 copë të kalibrit 7.62 mm, një krehër automatiku me 7 copë fishekë si dhe mjetet të cilat autori i kishte përdorur gjatë grabitjes, konkretisht: një elektrik dore dhe një kapuç në ngjyrë të zezë. Irena Vreto