Dick Advocaat nuk mundohet të gjejë gabimin tek vetja dhe skuadra e tij për paraqitjen e dobët që po bën Serbia, por ia hedh fajin për këtë Shqipërisë.
Pas tre ndeshjeve të zhvilluara në eleminatoret e kampionatit europian, Serbia mbetet në kuotën e një pike të fituar. Në ndeshjen e zhvilluar dje kundër Danimarkës, skuadra e Advocaat edhe pse kaloi e para në avantazh u mposht në shtëpi me rezultatin 1-3.
Pas përfundimit të ndeshjes tranjeri holandez u shpreh se është duke menduar largimin nga stoli i Serbisë. “Kjo është ndeshja e parë e tmerrshme nga kampi ynë. Ne nuk meritonim të fitonim, është e thjeshtë. Danimarka ishte skuadra më e mirë. Ndoshta ka shumë presion mbi skuadrën tone.Unë mendoj se duhet të jemi realist dhe mua më duhet të diskutoj për dorëheqjen e mundshme me njerëzit e Federatës Serbe”, tha ai.
Por mesa duket justifikimi i Advocaat për këtë paraqitje të dështuar me Serbinë do të jetë Shqipëria. Ai është shprehur se pas ndeshjes kundër Kombëtares shqiptare gjithçka mori mbrapsht për ekipin e tij.
“Unë kisha një arsye që mora këtë detyrë. Dhe ajo ishte se kisha ndjesi të mira për këtë skuadër, se ne ishim të zotë të kualifikoheshim. Pas gjithë atyre që ndodhën në këto muajt e fundit, dhe me dënimin e Uefas, të gjithë janë vënë nën presion, gjithçka mori mbrapsht pas asaj ndeshjeje me Shqipërinë, të gjithë jemi nën presion”, deklaroi Advocaat.