Më 18 prill do të zbresë në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Kukësit avioni i parë me pasagjerë. Do të jetë një linjë direkte nga Londra, konfirmoi Altin Progonati, drejtori i aeroportit.
Sakaq për fluturimet e rregullta do të pritet muaji maj.
“Kur ka mbetur edhe një javë nga fluturimi i parë, ka përfunduar 90% e punimeve. Është përfunduar pista e plotë, terminali në strukturë, ndërkohë pajisjet janë duke u montuar. Pjesa para, siç e shikoni, parkimi i avionëve po ashtu po merr formën e tij…”, – u shpreh Progonati për Tv Klan.
Drejt fundit, vijoi drejtori i aeroportit të Kukësit, janë edhe punimet në parkimin e avionëve.
“Pjesa e apronit apo e vendqëndrimit të avionëve, është projektuar për të mbajtur 3 avionë njëkohësisht, ndërkohë që brenda një ore mund të nisen 4 avionë nga aeroporti i Kukësit”, – tha Progonati, i cili në një tur me gazetaren Rashela Shehu, foli edhe për punimet brenda godinës së terminalit.
“Këtu ndodhemi brenda mjediseve të terminalit. Kemi dy 2 portat hyrëse ku do të vijnë njerëzit që duan të udhëtojnë, këtu kemi hapësirën e check-in, janë 4 që do të funksionojnë paralelisht, kemi korridorin e sigurisë dhe zonën e nisjeve. Në krahun tjetër kemi edhe zonën e mbërritjeve. Këtu ndodhemi në zonën e sigurisë, aktualisht këtu po vendosen skanerat dhe urat që do të shërbejnë për kontrollin e pasagjerëve. Pajisjet janë vënë nëpër vende, por pritet të bëhet edhe testimi në mënyrë që ta mbyllim edhe këtë sektor të aeroportit”, – tha Progonati.
Duket se, terminali do të ketë edhe një zonë muzeale në përkujtim të luftës së Kosovës.
Risjellim në vëmendje se kjo ishte edhe pikënisja për ndërtimin e aeroportit të Kukësit, si dhuratë e Emirateve të Bashkuara me 21 milionë euro për të pritur ndihmat për refugjatët.
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët ndaj vijojnë bisedimet me kompanitë ajrore, shtoi Progonati.