Aktualitet

Aeroporti i Rinasit hapet për të gjithë, por rinisin vetëm 30% e fluturimeve





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 11:10 - 22/06/20 |
mapo.al

Nga 22 qershori të gjitha kompanitë ajrore lejohen që të fluturojnë nga dhe drejt aeroportit të Rinasit, sipas një vendimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE).


Por, lëvizja ende e kufizuar, pasi lejohen të udhëtojnë vetëm shtetasit me leje qëndrimi në vendet e BE-së dhe ata me pasaportë europiane, ka bërë që shoqëritë ajrore të mos nxitojnë të rifillojnë të gjitha fluturimet.


Sipas të dhënave nga faqja e internetit të Aeroportit të Rinasit, sot po realizohen vetëm 30% e fluturimeve që do të kryheshin në një ditë normale. Edhe ato që kanë nisur janë me fluturime të reduktuara 3 ose 4 herë në javë.


Kompanitë që kanë rinisur fluturimin janë Austrian Airlines, e cila nga 15 qershori udhëton 4 herë në javë drejt Vjenës, nga dy herë në ditë që ishte më parë.


Air Albania ka rifilluar fluturimet nga 15 qershori fillimisht drejt Stambollit dhe më pas drejt Milanos,

Aegean Airlines ka rifilluar fluturimet drejt Athinës dhe Air Serbia drejt Beogradit.

Wizz Air fluturon drejt Vjenës, ndërsa ka njoftuar shumë destinacione të reja nga 1 korriku.

Sot ka rifilluar dhe Alba Wings, operatori më i madh në tregun e fluturimeve në vend, me destinacion kryesor Italinë. Alba Wings sot do të fluturojë në dy destinacione, Venecia dhe Firence.

Kompanitë shpresojnë të shtojnë frekuencën, nëse nga 1 korriku do të lejohet që edhe shtetasit shqiptarë të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Europian.

Vitin e kaluar, rreth 3.3 milionë pasagjerë fluturuan nga dhe drejt Aeroportit të Rinasit, duke shënuar një nivel rekord.

Dr. Constantin von Alvensleben, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv, Tirana International Airport tha në një intervistë për Monitor se nëse fluturimet rifillojnë nga mesi i qershorit, atëherë e kemi një mundësi për të arritur shifrën 1,5 deri në 2 milionë udhëtarë këtë vit, në varësi edhe se si do të shkojnë gjërat. Ai pohon se fluturimet charter do të rikthehen në qershor, dhe me hapjen e BE-së pas pak, do të mirëpresim përsëri fluturimet e të gjitha shoqërive ajrore shqiptare dhe europiane të cilat i kemi pasur në këtë aeroport përpara pandemisë, ndonëse duhet parë si do të jetë frekuenca e tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi se shoqëritë ajrore duhet të bëjnë çdo përgatitje dhe të kenë gati planet e veprimit për zbatimin e detyrimeve të parashikuara në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, të miratuar me Urdhërin Nr.169, datë 5 qershor 2020, të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkaq Autoriteti i Aviacionit Civil do të monitorojë rigorozisht zbatimin e këtyre masave.

Operatorët ajrorë që operojnë për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës do të jenë përgjegjës për të informuar pasagjerët për kufizimet e mundshme në fuqi për nisjet nga TIA për në aeroportin e destinacionit të synuar, si dhe për kërkesat që përmbahen në Protokollin e Operimit të Transportit Ajror, si dhe të rregullave të kujdesit dhe sigurisë së shëndetit në aeroportin e destinacionit.

/monitor


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas