Partia Demokratike kallëzon në SPAK ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për 6 vepra penale në lidhje me koncesionin 30 milionë euro të Portit të Durrësit.
Në kallëzim, me përfaqësues Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, thuhet se është vepruar në shkelje flagrante të ligjit me kalatën e portit duke ia dhënë me koncesion një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale, “Hili Company Limited”.
Padia gjithashtu përfshin kompaninë koncesionare, drejtorin e Portit të Durrësit, Pirro Vengu, dhe anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave.
Partia Demokratike argumenton shkelje të rënda të ligjit dhe dokumentacionit të tenderit.
- Pasuria publike me vlerë 30 milionë euro është bërë me procedurë të kufizuar, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
- Koncesioni iu dha një kompanie me pronarë të regjistruar në parajsa fiskale, në kundërshtim me përcaktimet e tenderit.
“Hili Company Limited” operon në Maltë, dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimta të pastrimit të parave nga skandali i “Panama Papers”.
PD konsideron se ky është rasti ideal që SPAK të tregojë me vepra funksionimin e ligjit për këdo që e ka shkelur atë, ndërkohë që i kërkon gjithashtu të kontaktojë kompaninë serioze gjermane HHLA International Gmbh, për të shpjeguar se përse është tërhequr nga ky prokurim.