Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha dje se vendi i tij ka shtet serioz, dhe përgatitjet kanë nisur prej një muaji pa bujë e pa zhurmë, pasi sipas tij kjo është dhe një çështje e sigurisë kombëtare. Por krejt e kundërta ndodh me qeverinë shqiptare
Kryeministri Rama, për informim të publikut ka zgjedhur rrjetet sociale dhe e ka shfrytëzuar për propagandë dhe lavdi personale. Refugjatët afganë do strehohen mes studentëve shqiptarë. Dritan Demiraj, ushtarak që ka shërbyer në Afganistan shprehet se ky është një veprim i rrezikshëm.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se qeveria e tij për çështjen e refugjatëve afganë po merret prej më shumë se një muaji, por e ka bërë këtë pa zhurmë dhe pa rrahur gjoksin. Duket se kryeministri kosovar po i jep një tjetër leksion homologut të tij shqiptar, i cili prej gati tre ditësh ka nisur një zhurmë mediatike në lidhje me këtë çështje. Kurti shtoi se çështja e afganëve është jo vetëm e dhimbshme dhe njerëzore, po lidhet fort dhe me sigurinë kombëtare. “Ne jemi shtet serioz dhe tash e një muaj këtë punë e kemi bërë pa zhurmë dhe me shumë kujdes meqenëse çështja e refugjatëve nga Afganistani është jo vetëm një çështje e dhimbshme e njerëzore por edhe një çështje e ndjeshme e sigurisë”, tha ai, duke nënvizuar se hollësitë e strehimit dhe mbrojtjes së refugjatëve janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara. “Ne i kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës aleatin kryesor dhe partnerin strategjik të pazëvendësueshëm dhe çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu edhe dimensionin e aleancës e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra SHBA-të na kanë mbështetur e përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë kundruall ndihmës e mbështetjes së tyre të madhe për vendin dhe për popullin tonë”, tha kryeministri Kurti.
Diskursi
Duket qartë se Kurti i kushton kujdes në diskursin e tij kësaj çështjeje e cila është jo pak e ndjeshme dhe për qytetarët e Kosovës. Por krejt i ndryshëm është qëndrimi i kryeministrit shqiptar në lidhje me këtë çështje. Duket se qeveria shqiptare po e trajton me arrogancë dhe pa profesionalizëm krizën e imponuar të refugjatëve afganë, duke u munduar të shfaqë një lloj euforie për mbështetjen që i jep SHBA. Vetëm një ditë më parë dolën të dhëna në lidhje me strehimin dhe numrin e afganëve të parë që do të mbërrijnë në Shqipëri. Vetë Rama nuk ka dhënë ndonjë prononcim në media lidhur me këtë çështje, por ka preferuar ta zgjidhë informimin e publikut nëpërmjet Facebook-ut të tij personal. Në përgjigje të njërit prej ndjekësve të tij ai do shprehej “llumi njerëzor i rrjeteve sociale është fakt fatkeqësisht, problem botëror jo vetëm shqiptar, po fatmirësisht janë një pakicë e zhurmshme, nuk janë shumica e shqiptarëve, në emër të të cilëve unë kam nderin të flas, me besimin e me mandatin e tyre!” do i përgjigjej Rama komentuesit. Deri më tani, si vend strehimi për ta është zgjedhur qyteti studenti, një zgjidhje aspak racionale, duke pasur parasysh se refugjatët afganë vijnë nga një mentalitet i mbyllur, dhe s’mund të futen mes studentëve shqiptarë. Dritan Demiraj, që ka shërbyer në Afganistan për një kohë të gjatë dhe e njeh mirë mentalitetin e atij vendi atje, tha se ata mund të bëhen shkak për incidente. “Dua t’i dërgoj një mesazh kryeministrit dhe institucioneve të sigurisë që të jenë të kujdesshëm pasi politikanët nuk e kanë idenë se çfarë përfaqësojnë qytetarët afganë. Ardhja dhe instalimi i qytetarëve afganë në Qytetin Studenti përbën një rrezik të madh. Edhe ato pak qytetarë afganë që janë marrë nga qeveria gjermane, ka pasur sulme terroriste, përdhunime femrash. Imagjinoni një grup afganësh nga x persona, të cilët do jetojnë në Qytetin Studenti, kur jemi në muajin gusht dhe sesi vishen vajzat dhe djemtë tonë, pasi jemi kultura të ndryshme”. Një zgjidhje, për ta do ishte ngritja e kampeve larg zonave të banuara. Duket se ardhja e tyre qeverinë shqiptare e ka gjetur fare të papërgatitur.
Të dhënat
Deri më tani dimë se pjesa e parë prej 250 personash do mbërrijë këtë javë, por se sa do të jetë numri në vazhdim ende nuk ka ndonjë informacion. Qeveria është përqendruar te pjesa humane e çështjes, por nuk është folur për masat e sigurisë. Kryeministri i Kosovës u shpreh qartë se për vendin e tij kjo veç çështjes njerëzore ka të bëjë dhe me sigurinë kombëtare, ashtu siç edhe vetë SHBA-të duhet të sigurohen mirë për ata që do lejojnë do fusin në vendin e tyre. Flitet se bashkëpunëtorë të USA atje kanë qenë mbi 80 mijë afganë, nga të cilët më shumë se 20 mijë prej disa vitesh kanë aplikuar për vizë amerikane, por nuk i kish dalë data e intervistës. Deri më tani gatishmërinë për t’i pritur ata kanë treguar Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Nga këto vetëm Shqipëria është anëtare e NATO dhe për më shumë se shumica dërrmuese e vendeve anëtare deri më tani nuk ka informacion të kenë pranuar të strehojnë refugjatët afganë, duke e konsideruar atë si një çështje tejet sensitive dhe që mund të cenojë sigurinë e shteteve të tyre. Duket se Shqipëria është një rast i veçantë…
Statistikat, Shqipëria plot me afganë, marokenë dhe sirianë
Prurjet e shtetasve afganë si refugjatë në Shqipëri nuk kanë munguar vitet e fundit, dëshmojnë të dhënat e autoriteteve kufitare shqiptare. Hyrja e tyre në Shqipëri është kryer nga kufiri grek dhe refugjatët afganë kanë synuar ta përdorin Shqipërinë si një pikë tranziti për të kaluar drejt vendeve të tjera europiane. Të dhënat e Institutit shqiptar të Statistikave dëshmojnë se numri ka ardhur në rritje kohët e fundit. Kjo, pasi Greqia nënshkroi një marrëveshje ripranimi me Afganistanin dy vite më parë dhe jo pak prej familjeve afgane që jetonin në Greqi (rreth 40.000 është numri i përgjithshëm sipas autoriteteve greke) iu drejtuan kufirit shqiptar për të kaluar drejt vendeve të tjera europiane nga frika e rikthimit në Afganistan. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave në vitin 2019 në territorin shqiptar hynë nga Greqia 541 afganë duke u renditur të katërtit, sipas vendit të origjinës në numrin e personave që hynë në mënyrë të parregullt në Shqipëri. Edhe në vitet e mëparshme shifrat për shtetasit afganë varionin nga 200-400 persona në vit ndërkohë që numri i azilkërkuesve nga Afganistani ishte shumë më i vogël ( nga 20 deri në 60 vetë çdo vit). Gjatë vitit 2020 pandemia e koronavirusit uli prurjet e refugjatëve afganë nga Greqia në Shqipëri për shkak të bllokimit të kufijve. Në muajin prill të vitit të shkuar autoritetet kufitare shqiptare trajtuan në një qendër të përkohshme në Gjirokastër për mbi 1 muaj një grup refugjatësh afganë me gra dhe fëmijë që u bllokuan në Shqipëri si pasojë e masave të pandemisë duke afruar për ta krahas akomodimit dhe ushqimit edhe trajtimin shëndetësor dhe vaksinimin e fëmijëve. Sipas autoriteteve shqiptare të kufirit, afganët njihen për profilin e emigrimit në familje të mëdha nga 5 deri në 13 anëtarë (shumë rrallë shfaqen raste migrimi si individë). Gjatë qëndrimit të tyre në territorin shqiptar gjatë viteve të fundit nuk janë raportuar incidente. Për autoritetet shqiptare të kufirit, sipas raporteve të organizatave që mbrojnë të drejtat e refugjatëve, ka qenë i vështirë sigurimi i përkthyesve në gjuhën ashtu dhe për një pjesë të tyre proceset e intervistimit janë zhvilluar duke komunikuar në gjuhën greke pasi afganët duke qëndruar prej vitesh në Greqi arrinin të komunikonin në greqisht.