Afganët ende nuk kanë ardhur, ndërsa nuk kanë vonuar aspak efektet e para të motivit kryesor pse kryeministri vendosi t’i strehojë ata në Shqipëri.
Ai është kthyer në një prej personave më të intervistuar së fundmi nga mediat e mëdha të Europës, dhe ky ishte patjetër qëllimi parak.
Dokrra hini janë predikimet për traditë e mikpritje si detyrim ndaj një kodi nderi. E aq më pak, qëndron teza e përsëritur nëpër këto daljet e tij, se ne qenkemi afganët e para 30 viteve.
Shqipëria nuk ka kapacitetet dhe as mundësinë ekonomike të përballojë një eksod të këtyre përmasave.
Nuk ka dyshim se ne na nderon si vend dhe si komb hapja e dyerve për njerëz në nevoja ekstreme e në rrethana të tilla siç ata janë, ku rrezikojnë jetën nga rikthimi i talebanëve në fuqi.
Por shtysa kryesore ka qenë tjetër. Sepse diskutim apo konsensus publik nuk pati. Dihet fort mirë se motorri i këtij kursi ka qënë marrja e një mbështetjeje ndërkombëtare dhe shefi i rilindjes e ka parë si rast të artë për t’u futur në fushën e kampionëve, ku ta kapin prozhektorët e botës.
Kjo është mënyra që ai ka zgjedhur të mbulojë dështimet dhe keqqeverisjen 8-vjeçare.
Bëj si lider global, merru me gjëra të mëdha dhe krijo efektet e duhura që të harrohet varfëria, ngecja e integrimit, lidhja me krimin, vjedhja e zgjedhjeve, e shumë të tjera si këto.
Dhe teksa bën si mikpritësi i shekullit dhe kushedi sa skena ndërkombëtare ëndërron e projekton, afganët ende nuk janë nisur.
Ama intervistat e tij për BBC, Sunday Times e media të tjera të njohura të globit po vërshojnë.
Kështu fitohet kohë dhe shtypen më lehtësisht pakënaqësitë dhe rebelimet e vogla lokale në nahinë tonë.