-Si e shihni vitin 2020 për Shqipërinë. Ne lamë pas një vit të ngarkuar me krizë e tension. A mendoni se do te ketë zgjidhje të krizës politike këtë vit? A do të ketë zgjedhje të
parakohshme?
Krasniqi: Do të duhet të ketë, megjithatë asnjëra nga dy palët politike nuk po i kërkon dhe as i ka
në prioritetet e veta. Mazhorana do të shtyjë ditët e muajt në pushtet, opozita nuk është e
përgatitur dhe nuk po arrin ta kthejë fluksin kritik ndaj qeverisë në mbështetje për të. Fakti është
se në vitin 2019 debati ishte në lidhje me legjitimitetin e qeverisjes dhe legjitimiteti fitoi,
zgjedhjet lokale u bënë, qeveria i mbijetoi krizës dhe parlamenti i mbijetoi shpërbërjes. Tani nuk
kemi më debat legjitimiteti, por funksionaliteti. Të gjithë e shohim se as parlamenti, as qeveria
dhe as pushteti lokal janë janë funksionalë dhe i gjithë sistemi i qeverisjes është në ngërç. Ndaj
kërkohej zgjidhje politike. Në politikë ka vetëm një zgjidhje, kalimin drejt zgjedhjeve të
parakohshme për të rivendosur balancat politike dhe për tu dhënë jetë e energji institucioneve që
dalin prej tyre. 2020 këtë duhet të ketë objektivin kryesor. Elementët e tjerë, si kryesimi i radhës
i OSBE, menaxhimi i pasojave të tërmetit, etj, janë të rëndësishme, por nuk e zëvendësojnë dot
nevojën jetike të vendit për demokraci funksionale dhe mirëqeverisje. Së fundi, Gjykata
Kushtetuese pritet të japë vlerësimin për zgjedhjet lokale dhe për nismën e mazhorancës për
shkarkimin e Presidentit. Në varësi nga këto vendime do të orientohet edhe një pjesë e mirë e
axhendës politike 2020.
-Si e parashikoni ecurinë ekonomike të vendit në vitin që kemi nisur duke pasur parasysh
ngadalësimin ekonomik të 2019-ës e duke i shtuar kësaj edhe koston e rëndë të tërmetit?
Krasniqi: Sa herë kemi mandate të dyta të një qeverie kemi pasur stanjacion ekonomik, edhe
sepse ekonomia dhe të ardhurat përqendrohen në një klientelë të kufizuar të pushtetit dhe bie
niveli i konkurrencës dhe i ideve të reja. Situata aktuale po përballet edhe me dy faktorë të tjerë
që kanë impakt negativ ekonomik. Vendi është në krizë prespektive në raport me BE dhe si i tillë
nuk është atraktiv për investime të huaja të qëndrueshme dhe së fundi, pasojat e tërmetit të
nëntorit do të jenë afatgjata. Pas fazës së parë të ndihmës emergjente procesi i rindërtimit dhe
normalizimit do të kërkojë shumë kohë, buxhet të ri dhe do të shoqërohet me pasoja sociale, si
emigrimi, papunësia dhe rritja e kriminalitetit. Për të gjitha këto arsye, 2020 pritet të jetë një vit
më i vështirë ekonomik sesa 2019 dhe kjo pritshmëri do të duhet ti bëjë organet vendimmarrëse,
– Qeverinë e parlamentin, shumë më efektive dhe vizionare për t’u përballur me thellimin e
krizës.
-Ndoshta i vetmi lajm i mirë para mbarimit të vitit 2019 ishte ecuria e ngritjes së institucioneve të reja të Drejtësisë. Po çfarë realisht presim të ndodhë me “drejtësinë e re”, sa premtuese është kjo reformë për një shoqëri që lëngon nga korrupsioni me skandale që konsumohen para syve tanë. A mund të presim nga këto institucione të reja një luftë ballore ndaj këtij fenomeni duke nisur me “peshqit e mëdhenj”?
Krasniqi: 2020 pritet të ketë lajm kryesor dosjet e SPAK dhe reagimin e kësaj strukture ndaj
pritshmërive të larta publike për hetimin e gjykimin e politikanëve e zyrtarëve të lartë të
korruptuar. SPAK ka gjithçka duhet, një ligj të vecantë, kompetenca të gjëra, mbrojtje
kushtetuese, mbështetje ndërkombëtare, mbështetje publike dhe vepron në një vend ku pjesa më
e madhe e kastës politike është e korruptuar. Ata vetëm duhet të kenë vullnet të zbatojnë ligjin
dhe të marrin përgjegjësi. Pjesa tjetër e reformës në drejtësi nuk do të ketë më headline
vettingun, por plotësimin dhe funksionimin e institucioneve të reja si Gjykata Kushtetuese,
Gjykata e Lartë, Inspektorin e Lartë. 2020 do të përballet edhe me vendimet e para të Gjykatës së
Strasburgut për animimet ndaj procesit të vettingut. Nga kjo vendimmarrje mund të ketë impakt
e gjithë kurba e reformës në drejtësi. Në aspektin e të drejtës do të krijohet boshllëk i ri në
sistemin e prokurorisë dhe gjykatave, sidomos në nivelet e apelit si dhe gjykatës administrative,
gjë që kërkon ndofta edhe ndërhyrje të reja ligjore për të eliminuar praktikave të gabuara të
konstatuar deri më tani në jetësimin e reformës në drejtësi.
-Çfarë mund të presë Shqipërisë këtë vit në aspektin e integrimit europian? Kemi përpara
samitin e Zagrebit. A mendoni se do te ketë rrethana të reja dhe do të çelen negociatat e
anëtarësimit?
Krasniqi: Nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Edhe nëse Franca e Holanda ndryshojnë qëndrim,
për Shqipërinë pothuajse nuk ndryshon asgjë për sa kohë ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi një
listë të gjatë detyrash dhe standardesh, për të cilat nuk jemi ende gati për tu përballur me to.
Vendimi i Samitit të Zagrebit është më shumë gjeopolitik dhe BE do të duhet të korrektojë
politikat e saj ndaj rajonit të Ballkanit. Por, përtej kësaj, ne si shtet kemi shumë më tepër për të
korrektuar, përfshirë nevojën të jemi një ministër të jashtëm full time në post, të kemi qeverisje e
demokraci më funksionale, të kemi rezultate në shtetin e së drejtës dhe ta shohim prespektivën
integruese jo në aleancat e përkohshme e personale në Beograd e Ankara, por tek adresimi
strategjik euro-atlantik.
Lexo edhe: