“Nuk quhet zyrë informimi, është ministri propagande”.
Agjencia për Median dhe Informimin, që u krijua në mbledhjen e parë të kabinetit “Rama 3”, e që do të ketë varësi direkte nga kryeministri, konsiderohet prej specialistëve të fushës jo vetëm si zyrë që do të bëjë propagandën e qeverisë por dhe do të shtojë kontrollin ndaj mediave.
Sipas ekspertes së Komunikimit, Jonila Godole ndikimin më të madh Agjencia që është në varësi të kryeministrit do e ketë mbi median online.
Kontrolli sipas gazetarit Gjergj Erebara do të shtrihet dhe në profilet personale të qytetarëve në rrjetet sociale.
“Qeveria i jep të drejtë vetes që kjo agjenci të përgjojë Facebook, Instagramin e qytetarëve shqiptarë dhe të mbajë shënim kush e shau qeverinë, e kush jo. Unë këtë shoh më problematike”, ka thënë ndër të tjera ai.
Kryeministri ndërsa njoftoi për krijimin e Agjencisë, u shpreh se modele të ngjashme po zbatohen dhe në vende perëndimore. Por kjo sipas specialistëve nuk qëndron.
Shqipëria për herë të fundit që ka pasur një ministri Informacioni ka qenë viti 1999, me ministër Musa Ulqinin.
“Ministrat nuk kanë të drejtë të flasin sepse duhet të jenë pjesë e një teatri të regjizuara nga kryeministri, e jo persona me profil të vetin”, ka thënë Erebara.
Rama pas 2 mandatesh në qeveri, vendosi që ta rilindë sapo mori detyrën e kryeministrit, sipas tij për informim dhe transparencë për politikat dhe aktivitetet e qeverisë. /Nga Erneta Shevroja – ABC/