Kryetari i PAA flet për angazhimin e të rinjve të forcës së tij politike veçanërisht në çështjet e mjedisit, si një ndër temat më të ndjeshme në debatin politik. Sipas Dukës, angazhimi i këtyre të rinjve me protestat e tyre, sidomos në Durrës ka patur efekte të ndjeshme dhe është bërë nxitje për vijimin e këtij aksioni politik. “Reagimi pozitiv i opinionit publik ndaj përpjekjes sonë, krijoi kushtet për një tjetër tubim të PAA-së, në të cilin do të angazhohej jo vetëm Partia Demokratike e Durrësit, por edhe shoqëria civile”, deklaron kreu i PAA, Agron Duka.
Z. Duka pas protestës së datës 5 maj pranë vendgrumbullimit të mbetjeve në Porto Romano, të organizuar nga të rinjtë e PAA-së, ditën e djeshme pati disa zhvillime të lidhura me vizitën e z. Rama në atë landfill. Cili është komenti juaj?
Protesta e organizuar nga të rinjtë e PAA-së, në Ditën Botërore të Mjedisit, tubimet e banorëve të mbështetur nga opozita dhe vëmendja e mediave, dhanë një rezultat të parë. Pas shumë kohësh kemi një qëndrim të mazhorancës mbi të ardhmen e vendgrumbullimit. Sigurisht kjo është një fitore, pasi thyem indiferencën e mazhorancës rreth një problemi shumë serioz, jo vetëm për banorët e zonës, por të gjithë Durrësit.
Ju keni paralajmëruar një tjetër protestë gjatë kësaj jave, po për të njëjtën çështje, kur do të zhvillohet?
Reagimi pozitiv i opinionit publik ndaj përpjekjes sonë, krijoi kushtet për një tjetër tubim të PAA-së, në të cilin do të angazhohej jo vetëm Partia Demokratike e Durrësit, por edhe shoqëria civile. Megjithatë, thyerja e heshtjes nga ana e kryeministrit, dhe angazhimi për gjetjen e një zgjidhjeje, na bëri të vetëdijshëm për arritjen e një rezultati të mirë për qytetin, kështu që hoqëm momentalisht dorë nga protesta duke qëndruar në pritje të rezultateve konkrete.
Çfarë do të ndodhë sipas jush?
Deri në këtë moment jemi përballë një qëndrimi të kryeministrit i cili ka deklaruar se brenda 18 muajve do të jap një zgjidhje për vendgrumbullimin. Kjo është një pikënisje, megjithatë duhet monitoruar me shumë vëmendje situata pasi çdo vonesë shkon në dëm të shëndetit të qytetarëve. Sigurisht Partia Agrare Ambientaliste nuk do të presë 18 muaj për të ngritur zërin në mbrojtje të interesit të qytetarëve, nëse do të ketë vonesa apo mos mbajtje të premtimit publik. Institucionet kanë për detyrë të kryejnë disa veprime paraprake për limitimin, në periudhën afatshkurtër, të problemit. Për shembull duhet bërë sa më parë rrethimi i vendgrumbullimit të mbetjeve, që mos të lejohet që aty të kullosin kafshë me të cilat ushqehen më vonë njerëzit. Një tjetër pikë e rëndësishme është ngritja e një sistemi zjarrfikës, që të mos lejojë djegien e plehrave, një fenomen shumë i rrezikshëm pasi tymi toksik që çlirohet pushton gjithë zonën e Durrësit.
Mendoni se mazhoranca është treguar në nivelin e duhur në këtë rast?
Ditën e djeshme u tentua përsëri të luhej loja e vjetër, që tashmë të gjithë njohim: “Kështu ka qenë prej dekadash”, “Po merremi me borxhet e lënë nga paraardhësit”, e kështu me radhë. Për mua ky është një teatër i lodhur dhe i lodhshëm, pasi bashkia e Durrësit qeveriset nga mazhoranca aktuale prej më shumë se një dekadë, një periudhë kohore e mjaftueshme për të adresuar problemin.
Megjithatë, angazhimi i marrë nga kryeministri e kushtëzon atë përballë qytetarëve, pasi dha një afat kohorë të mirëpërcaktuar, pra topi kaloi në fushën e tij. Ndonëse mbetem mosbesues, uroj të mos jemi përballë një premtimi të bërë për sa për të kaluar radhën, pasi nuk bëhet më fjalë për një problem burokratik apo periferik, por për një fatkeqësi kolektive që rrezikon përditë jetën e çdo durrsaku./Mapo.al/