Aktualitet

Agron Gjekmarkaj: Një letër për Juri Kim dhe Shqipërinë që gjen





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 14:56 - 23/01/20 |
mapo.al

E nderuar Shkëlqesi Ambasadore Kim,


Më në fund, Shkëlqesia juaj, ambasadorja e re e SHBA-ve, mbërrin në Shqipëri. Mirë se ju ka pru Zoti e me krahë të lehtë! Një sërë punësh ju presin në vendin ku ata që punojnë janë gjithnjë e më të paktë e ku çdo gjë është në krizë. Sy dhe veshë të shumtë janë të përqendruar mbi ju. Në Senatin amerikan, teksa pyeteshit për vizionet sesi do ta konkretizonit punën tuaj në Tiranë, u gjegjet se do të ndiqnit dhe nxisnit suksesin dhe veprimtarinë e Reformës në Drejtësi si dhe do impenjoheshit për të zgjidhur krizën politike. U gëzuam ne këndej.



Shqiptarët e duan Amerikën dhe i janë mirënjohës asaj për mbështetjen historike që na ka dhënë në orët më dramatike të historisë sonë, por edhe në ditët më të mira të saj. Do të dëshironim t’ju donim duke qenë më të pavarur e dinjitozë, por politikanët tanë, vit pas viti, na e kanë hequr këtë mundësi. Për më shumë na e kanë hequr neve (popullit) respektin për ta me bëmat e tyre, që nuk kanë të sosur. Kësisoj, proamerikanë, besëtytë, trillanë e sehirxhinj themi “këto punë i di Amerika”, “ajo vendos për ne”, “isha në ambasadën amerikanë e më thanë kështu e ashtu”.


Në këtë kontekst, Kryeministri dhe qeveria, një e dy, na thonë për çdo gjë “kemi Amerikën me vete”. Në fakt, paraardhësi juaj i nderuar, Donald Lu, që mësoi edhe shqip mjaft mirë, nuk tha asnjë fjalë për ta dënuar projektin më të madh politik të “Rilindjes” kanabizimin e vendit. U tund e trand media botërore, por ai heshti me stoicizëm. Dilemë e madhe zu fill. Në shumicën e rasteve, për çdo gjë që shkonte keq, ai ndëshkonte opozitën me deklarata e qëndrime. Jo pak vetave u është mbushur mendja që Edi Rama, për çdo gjë që bën e që ndodh këtu, ka bekimin e vendit të madh mik. Por çfarë ndodh me të vërtetë këtu?! Me modesti po përpiqem t’ju ofroj legjendën, për të lexuar nga këndvështrimi subjektiv i një qytetari, pikërisht vendin në të cilin ju priteni me shpresë të madhe. Ëndërrimtarët besojnë se me “kamxhik” në dorë ju do të “frustoni” trazovaçët e politikës shqiptare dhe do ta fusni në binarë demokracinë e shkërmoqur, por hiri i së vërtetës na e kërkon të themi se ata janë gjithnjë e më të paktë. Paçka se në kafenetë tona të panumërta besojmë se jemi kërthizë e botës, në fakt, jemi vetëm një vend i vogël ku zihemi si dreqër me njëri-tjetrin. “Gjyqet” tona i bëjmë tek ambasada juaj.

Me gjasë, çdo ambasador që vendosej në “Rrugën e Elbasanit” deri tani së paku, shndërrohej në guvernator të pashpallur i vendit tonë dhe në star publik. Mërzia na ka yshtur të besojmë se shumicën e politikanëve tanë të përbuzur, për veset që kanë, i donin pikërisht si të tillë, të korruptuar e pa shtyllë kurrizore. Tani, shqiptarët, të zënë mat pas 30 vitesh lirie, dëshirojnë të ikin të fitojnë një loto amerikanë apo një leje qëndrimi në Europë! Ju ka ardhë shpirti te hunda, themi ne në këto anë.

Ata, së paku, presin nga ju që të vendosni një ekuilibër dhe të mos favorizoni një pjesë për të sunduar e mbytur tjetrën. Në sytë e mi, rrëfimi është i trishtë dy herë, së pari se jetoj brenda tij e së dyti sepse po ia them një të huaje, ndonëse apriori e mirëpresim si mike, si vetë Amerikën! Po këtu na kanë katandisur në një “shtet-fëmijë” që nuk di të rritet.

Reforma në Drejtësi çapitet vit pas viti si të qe një invalid lufte dhe, së fundmi, disa institucione produkt i saj u ngritën. Për fat të keq, persona që kanë shërbyer në organet e dhunës gjatë regjimit kriminal të Enver Hoxhës, u shfaqën si shefat e drejtësisë së re. Se çfarë ka qenë komunizmi kësaj ane, besoj e dini dhe e tepërt t’jua marrim kohën me përshkrimin e tij. Po kaq ka indicie të mjaftueshme se kudo qeveria po fut njerëzit e saj me lidhje farefisnie direkte e nuanca të forta ideologjike të majta në krye të organizmave që po krijohen. Dosjen e krizës e keni shteruar mbase pa shkelur në Rinas. E paimagjinueshme, e rëndë për konceptin e demokracisë amerikane që opozita të djegë mandatet dhe të bojkotojë zgjedhjet. Po kaq i përzhitshëm është gjykimi atje, që këtu mungoi kur zgjedhjet vidhen, blihen, merren me kriminelë, të cilët u futën në Parlament dhe këmbëkryq në pushtetin lokal. E dyta kushtëzoi të parën.

Opozita shqiptare u shndërrua në fasadë, së cilës herë pas herë i punonin edhe rrengje e pusi fizike në Parlament e jashtë saj. Asaj nuk iu la tjetër shteg, sado i qortueshëm! Tabloidi gjerman “Bild” botoi përgjime pafund, në të cilat zbulohej skema e turpshme e vjedhjes së votës. Me 30 qershor, datë për të cilën na thuhet se Amerika dha leje, u zhvilluan votimet moniste. Shumica absolute e elektoratit i bojkotoi ato. OSBE-ODIHR, në raportin e saj përfundimtar, e telendisi pothuaj në pikën e mohimit. Shumë prej kandidatëve të emëruar nga Kryeministri, të cilët do të duhej të përballeshin me ata të opozitës, po rezultojnë me të kaluar kriminale, subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe po vihen në qendër skandalesh të pafundme. Qenkëshin zgjedhur bash për atë CV që kishin!

Të gjitha pushtetet sot i ka Kryeministri në mënyrë piramidale. Nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese, tash sa vjet, e as të Lartë. Mëshira e Edi Ramës është i vetmi institucion që punon. Varemi vetëm prej saj. Hamleti thotë se diçka është kalbur në Danimarkë. Këtu shumë më tepër! Ekonomia është në duart e 10 personave klientë të pushtetit, që marrin koncesionet dhe tenderët publikë. Së fundmi, Parlamenti miratoi edhe ligjin më të kontestuar në këto 30 vjet nga opinion vendës dhe ai ndërkombëtar, atë të “antishpifjes”, i cili synon të intimidojë zërat kritikë ndaj qeverisë dhe të investojë tek autocensura. Vendi ka nevojë për legjitimitet dhe stabilitet. Ai arrihet nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme. Garancia e votës sot varet nga humori i të fortëve kudo nëpër Shqipëri dhe jo nga organet ligjzbatuese!

E nderuar Ambasadore,

Këta janë aleatët e Kryeministrit, mos më besoni mua aspak, vetëm gjeni pak kohë të shikoni listat e kryebashkiakëve, deputetëve e të tjerë dinjitarëve pranë tij. Presidenti Uilson e shpëtoi vendin tonë nga copëtimi, ndërsa sot, po me sytë nga ju, pasi kemi dështuar së brendshmi, kërkojmë të na ktheni si fuqi e madhe e mike, atdheun që na kanë grabitur sundimtarët, i cili rrezikon të copëtohet nga zbrazja. Na duhet një aleat për t’u përballur me hajdutët, kriminelët dhe batakçillëkun që po na zë frymën. Kodi zakonor nuk na e lejon t’i kërkojmë mikut që kemi në shtëpi, por ajo po shembet se minjtë i kanë gërryer trarët. Kjo është Shqipëria që gjeni, e nderuar Shkelësi, plot me njerëz të mirë e të zotë të shmangur përdhunë nga çdo mundësi për t’i shërbyer vendit të tyre!

Marrë nga: Panorama.com.al


Etiketa: ,

Pas