Ndërsa drejtuesit politikë po mbajnë fjalën në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka braktisur punimet pasi kryetari Lulzim Basha përfundoi fjalën e tij.
Shehaj mësohet se kishte regjistruar emrin për të folur në Kuvend, por papritur ka vendosur të mos mbajë fjalimin dhe të largohet nga punimet e forumit më të madh vendimmarrës të demokratëve.
Arsyet e këtij vendimi mbeten të paqarta, por burime pranë PD theksojnë se fjalime ishin parashikuar të mbaheshin nga të gjithë drejtuesit e politikë në qarqe. Agron Shehaj kryesoi fushatën e PD në Njësinë nr.5 në Tiranë.
Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar mungoi kreu i Këshillit Kombëtar Bujar Nishani si dhe ish-kandidatja në garë për postin e kryetarit të PD, Edith Harxhi.
Ish-kandidati tjetër demokrat Fatbardh Kadilli ishte i pranishëm në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar ku u votuan ndryshimet në statutin e partisë.
Gjatë fjalës së tij, Basha foli për ata që sipas tij kanë vepruar kundër partisë për interesa personale të përkohshme.
“Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo për përfitime të përkohshme,” – deklaroi kryedemokrati.
Ndërkaq, vu re mungesa e kreut të Këshillit Kombëtar të PD-së, Bujar Nishani.
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike pritet të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar si dhe janë votuar ndryshimet në statutin e partisë.