Mapo Letrare

Ah, sikur të kisha pak më tepër kohë!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:56 - 04/07/20 |
Nga Marsela Neni

Cikël me poezi nga Marsela Neni


1.Të kisha pak më tepër kohë


Ndiej se po më bie gjysma e fytyrës,
Që prej yjësish po rrokulliset vetulla, një sy,
Si qiri ngadalë po tretet, një ditë do shuhet,
Harmonia e një fytyre ildisur prej dy syve blu.


Ndiej se kockat kanë nisur të mos më binden,
Kur mbi taka ta gëzoj dua një fustan,
Si stërkala thinjen vitet mbi floknajë,
Nëpër rrudha struken hallet që mbaj.


Gjithë jetën miqtë më të mëdhenj se vetja,
Më të sprovuar me erërat, më me përvojë,
Krahasuar me veten, pranverë u dukem,
Por në vete ndiej një pranverë të vonë.

Ah, sikur të kisha pak më tepër kohë!
Çaste ngriva-shkriva, sikur ishim fëmijë!
Por sa herë që përpiqem jetën ta kundrojë,
Ajo, si Lolitë, e qeshur nxiton, e më fton ta arrijë.

2. Nëna më thotë…
Ag i ftohtë!
Pranë sobës kërcet një dru
që digjet me përtesë…
Ajkën e kafes vështroj
që nga xhezvja derdhet
e duart s’më bëjnë
me e heq nga zjarri.
…më ngjan një tjetër kohë
një tjetër shtëpi ku kam jetuar
e zëri i përvuajtur i sime mëje
që më thotë:
” …gruaja lind në këmbë!
Me zor ia shtrijnë shtatin
dhe kur vdes!
Në mos…
ka vdekur që më parë
pranë sobës…
pranë lavamanit…
pranë teshave të nderura në telin e jetës
pranë pjatave që ulen e ngrihen nga tryeza
të ndotura nga monotonia,
pranë çantave të fëmijëve kur ikin në shkollë…
Në mos…
nga puthjet që me vitet gjithashtu ikin
e harrojnë të kthehen,
nga xhepi pa liri…
nga netët pa hënë…
nga gjumi pa ëndrra…
nga pritjet e gjelbra, të pafjala, të përkora
që përhirimin mbajnë
unazë në zemër…
Dëgjon bijë?!
Gruaja vdes në këmbë!”
3. Udhëtar i pasosur

Veten braktisur në mëshirë të fatit
mbi një varkë të vogël oqeanit të pafund,
lopatat në thellësi i kam lëshuar
veç valë e gjorë heshturazi më përkund.
Një mall i pakuptuar si këmishë e trishtë
veshur shpirtit kur mbi sy yjet më flejnë,
veç me flokë mbuluar trupin tim të brishtë
ndër zhuritje të buzëve etja ka ngritur folenë.
Hijen time kam mikeshë të paçmuar
sa kam atë në jetën time hënë e diell ka,
dhe kur netët qiejt i kanë turbulluar
një këngë në zemër vigjëlon si flaka.
E shkujdesur me agimin zgjohem ndër supe
krejt e lakuriqtë me veten në sinqeritet,
befas kuptoj që unë jam veç varka
ti je udhëtari i pasosur që frymëzimin pret.

4. Sy që fshehin qiej

Ti mahnitesh
me sytë e mi të qelqtë,
kur një buzëqeshje
retë e trishta krejt i heq.
S’di me çfarë të përngjasin,
ca pak mendueshëm rri:
Vallë janë cifla qielli
përhumbur në pluhur gri?!
Apo yjez të humbur
qiejve, në pafundësi?!
Perlëza të rrëshirta
fshehur në thellësi,
të buta, oh…po… si pisha të pjekura
strukur në një bohçe
rrëzuar nga stuhia,
mistershëm në një qoshe.
Herë të ftohta e të kërcta
si qefin i mirrosur,
herë të ëmbla si kumbull parëvere,
a si mollë e sheqerosur.
Herë si një pupël në erë
që endet në qiellin pa kufi,
herë si një pus që loton
se ka mbytur një fëmijë.
Ti vështromë i pafrymë,
por veten mos e humb krejt,
për gjëra që s’janë tokësore,
nuk ka etiketë.
Sytë – fill i shpirtit janë
që vjen nga të tjera botë.
Me shpirt të lakuriqtë ndër duar
nëse nuk di të duash, mos trokit kot!
***
Ruhu djalë, nga vashat me sy blu!
Me siguri ato shohin yjet, jo ty!

5. Pa titull

Mëngjesit të prushtë
ia putha mollëzat plot fjorde.
Si një shkop kanellë
zhytur në mjaltë
shpërtheu hareja
në aroma me trup të bruztë
të shndërvjelltë si sorkadhe;
ia njoma buzët
e përthara nga etja,
që një verë e kuqe,
a një fjollë marrie,
muzgut buzëtrëndafiltë
i dogji krejt,
ende pa ardhur e nesërmja.
Ah…edhe në mos ardhtë,
mirë se të vijë!

6. Hiret e tua

Hiret e tua nuk janë veç:
Kurbat e mëndafshta nën fustan,
As gjinjtë e kolme aromë pranverë,
As këmbët si sorkadhe kur si flutur
hedhin hapin,
As gishtërinjtë e hollë kur përhumben
nëpër flokët e derdhur si ar,
As buzët e tulta që përndezin përfytyrimet
e hyjve ndër yje.
Hiret e tua janë fjalët që më ngrenë peshë
kur zhgënjimi më përkul,
Hiret e tua janë përkujdesjet që më shërojnë
shtatin e sëmurë,
Hiret e tua janë netët pa gjumë pranë fëmijëve të mi,
Hiret e tua janë të gjitha ditët e lodhshme kur gatuan e pastron në shtëpi.
Ah…Hiret e tua kur bën dashuri!
Hiret e tua janë mençuri!
Hiret e tua janë copëza hëne fshehur në ata sy,
Hiret e tua janë qiej të bërë kurm e vesë
Hiret e tua janë krejt një univers
që pavarësisht gjithçkaje nuk vdes…nuk vdes..

7. Trishtim i trishtë

Mbi kanavacë një akuarel
Me lot holluar dhimba ime
Qiej krijoj me mirrën e syve
Pamjen ua mora gjithë bukurive.
Me tinguj të ngrohtë prej ftohtësie
Lirë e Orfeut më turbullon…
Trishtim i trishtë i frymës sime!
Trishtim i trishtë u artësofsh!

8. Poezisë
S’ka si ty, poezi!
Farë që më krijon
si foshnjen
në mitrën e një gruaje,
tharm që më rrit përbrenda,
një botë të paemërt
një Eden prehjeje
për shpirtin tim të drobitur,
për shpirtin tim të helmuar,
nga neveria e një bote
ku njeriu ha njeriun
nga dashuria
për një botë më të mirë.
S’ka si ty, poezi!
Shtëpi e ëmbël e shpirtit tim!
Kur e izoluar
nga gjithçka që më ndot
me vetminë time
hedh valsin e lumturisë.
Aty fillon dhimbja, jeta, festa!
Aty mbaron festa, jeta, dhimbja!

9. Vetja në arkëmort

Gjymtyrët e trupit i humba një nga një:
duart i kryqëzova në lutje për nënën,
meraku e dhembshuria më pikoi për babën,
sytë e zemrën fli ia bëra dashurisë,
harenë e buzëqeshjen ia fala miqësisë,
këmbët cung i preva për fëmijën tim,
veshët i këputa për vëllanë që larg rrin’,
motrës amanet pengjet që në zemër kam,
atyre që në qiell ikën, u dhashë nga një nishan,
trupin, hallet si qentë ma shqyen,
dëshirat e përvëluara mëlçinë ma gërryen,
flokët i ruajta e i thura litar,
në dorë të ndokujt në mbetsha,
kur të plakem, veten të var.
Nuk di ç’do fus në arkëmort
prej vetes kur të vdes?!
Ç’dhashë, nuk pres të më kthehet,
nga njerëzit asgjë nuk pres!

10. Përsiatje
Femrat janë si lulet.
Disa çelin ditën,
Disa gjallnojnë,
Kur hana u rri mbi krye.
Disa ndjekin diellin,
Disa hijen freskojnë ndër vete,
Disa tekanjoze duan shumë kujdes,
Disa lulnojnë kudo kurmin t’ua vesh,
Disa përtërihen dhe në dimër dhe në fatkeqësi,
Disa njëherë mos i ujisësh ulin kryet si fëmijë,
Disa si yllnesha e krejt fisnike,
Disa të egra, krenare, unike,
Disa me karakter e të papërkulura
Disa si bar i keq e disa të përgjunjura,
Disa të ngrysura, lulojnë një herë në vit,
Disa jetën japin për të rrit një bisk,
Disa krejt natyrën mbledh ndër vete mbajnë,
Disa janë Eden parajse, disa janë vullkanë.
Femër! Endur me petale, ç’bukuri!
A shkelet, a këputet, a dhunohet një lule si ti?!


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas