Aktualitet

Aida Hajnaj në krye të BKH, ambasada e SHBA: Reforma në drejtësi po bëhet realitet








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 21:47 - 30/07/20 |
mapo.al

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përshëndetur zgjedhjen e Aida Hajnaj në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Me një shënim në faqen zyrtare në “Facebook”, ambasada e SHBA shprehet se kjo është një piketë historike për reformën në drejtësi.


Vendimet e sotme sipas ambasadës janë dëshmi se pavarësisht pengesave, reforma në drejtësi ka nisur dhe po bëhet realitet.


“Urojmë Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnaj si Drejtoreshën e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kjo është një piketë historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme, po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë. Vendimet e sotme tregojnë se pavarësisht pengesave, Reforma në Drejtësi po bëhet realitet”, thuhet në reagim.



Më tej, ambasada thotë se të gjitha institucionet e parashikuara për këtë proces janë ngritur, ndërsa jep garancinë se rezultate do të vijnë më ngadalë, por me siguri të plotë.


“Me emërimin e Drejtores së re të BKH-së, të gjitha institucionet e parashikuara nga Reforma në Drejtësi tashmë janë ngritur. Ashtu si u përcaktua në ligjet e miratuara në vitin 2016, u themeluan Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Të dyja institucionet që përbëjnë SPAK – Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH – tashmë janë themeluar. Rezultatet do të mbërrijnë, ngadalë por është e sigurt”, thuhet në reagim.

Lexo edhe :  Në morgun e reformave

Byroja Kombëtare e Hetimit do të trajnohet nga FBI-ja amerikane. Për këtë proces, i cili po pritet me shpresë të madhe, ambasada e SHBA fton kandidatët hetues që të bëhen pjesë e kësaj strukture. Në fund, ambasada thekson se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të përkushtuara për ta çuar përpara procesin e reformës në drejtësi.

“BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK. Ne u bëjmë thirrje kandidatëve të palodhur dhe të ndershëm që të bashkohen në radhët e BKH-së, nën udhëheqjen e Drejtores Hajnaj. Ne i urojmë suksese Drejtores Hajnaj teksa ajo nis detyrën e saj historike! Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për zbatimin e plotë dhe të duhur të Reformës në Drejtësi, hap pas hapi.”, theksohet në qëndrimin e ambasadës.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas