Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me çmimin e karrierës akademike 2017; Fjala e sekretarit shkencor akademik Vasil S. Tole në ceremoninë e dekorimit të shkrimtarit tonë të shquar Ismail KADARE me çmimin e karrierës akademike-2017!
Kadare: “Keni ardhur, keni lënë shtëpitë tuaja në këtë ditë, të një ngjarje botërore, dhe unë e çmoj dyfish ngjarjen. Ndihem i përkëdhelur nga ky çmim. Nuk do shfaqja as megalomani, as modesti, jashtë këtyre mendoj se arti shkenca, sfera e mendimit është mbi këto dhe ne të gjithë jemi anëtarë të një familjeje, të një niveli që ka nevojë çdo komb edhe çdo popull”
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me çmimin e karrierës akademike 2017. Me praninë e shkrimtarit, por pa praninë e politikës dhe mediave, çmimi është akorduar në një rreth të ngushtë akademikësh, duke shënuar të parin nderim për shkrimtarin në vendin e tij, me fjalët vlerësuese të kreut të Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti se Kadare është : “Figura më e rëndësishme e mendimit shqiptar, e gjuhës dhe letërsisë, e kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Për më shumë se gjashtë dekada shkrimtari i shquar shqiptar në shkallë botërore, vepra e të cilit është programuar për studime akademike dhe universitare në shumë vende të botës, dhe ka promovuar përfytyrimin global të identitetit dhe imazhit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve”.
Pas akordimit të çmimit, Kadare ka shprehur kënaqësinë për vlerësimin duke u shprehur se: “Keni ardhur, keni lënë shtëpitë tuaja në këtë ditë, të një ngjarje botërore, dhe unë e çmoj dyfish ngjarjen. Ndihem i përkëdhelur nga ky çmim. Nuk do shfaqja as megalomani, as modesti, jashtë këtyre mendoj se arti shkenca, sfera e mendimit është mbi këto dhe ne të gjithë jemi anëtarë të një familjeje, të një niveli që ka nevojë çdo komb edhe çdo popull”.
Fjala e rastit në ceremoninë e dekorimit të shkrimtarit tonë të shquar Ismail KADARE
Sekretari shkencor akademik Vasil S Tole, ka mbajtur fjalën ku është shprehur: “Ky ҫmim është kurora e ҫmimeve shkencore kombëtare vjetore të akademisë sonë, krahas ҫmimit Ҫabej, atij Radovicka dhe ҫmimit për kërkuesin e ri më të suksesshëm. Megjithatë, Çmimi i Karrierës, që juria e posaçme vendosi t’Ju akordohet Ju, është thjesht një shenjë nderimi krahasuar me çmimet e mirënjohjet e larta ndërkombëtare dhe titujt e nderit që keni fituar për merita të veprës Suaj ngado nëpër botë. Kur juria mori këtë vendim, ne të gjithë kemi menduar njësoj: -që emri Juaj, vepra Juaj, janë të tilla që asnjë çmim nuk i mbulon dot! Kush ka pasur një karrierë më të suksesshme se akademiku ynë Ismail Kadare jo vetëm në letërsi, por dhe në historinë e mendimit shqiptar, në veprimtarinë intelektuale, në krijimtari, që prej mesit të shekullit XX? Nuk mundem të shpreh me fjalët e mia modeste gjithanshmërinë dhe plotësinë e veprës Suaj, zoti Kadare. Por disa gjëra të thjeshta mund t’i pohoj me siguri. Si propozuesi i këtij ҫmimi pranë Jurisë, i përkas atij brezi të cilit për të lexuar librat Tuaja mbanin radhë të gjata pranë librarisë së vetme të qytetit, aty ku radha e njerëzve që prisnin ishte më e gjatë se tek radhët e bukës apo tek ushqimet e tjera. Kjo sepse krijimtaria e Kadaresë ishte dhe mbetet “buka” jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale të ҫdo shqiptari. “Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen”-thuhet në librat e shenjtë. Atëkohë dhe në këtë kohë, letërsia Juaj na bëri dhe na bën të jemi njerëz normalë, në një vend të bekuar, por shpeshherë i mposhtur nga e keqja. Të gjithë ne e dimë se nuk ka vetëm një Shqipëri, por disa të tilla.
Ka një Shqipëri politike, e cila përpiqet për të marrë ftesën zyrtare për t’iu bashkuar familjes së popujve që i takon; ka gjithashtu një Shqipëri ekonomike, që synon të zhvillohet dhe të dalë nga varfëria; ka edhe një Shqipëri intelektuale që megjithë vlerat e brendshme e kanë pushtuar debatet dhe sherrnajat anakronike; por ka dhe një Shqipëri letrare, artistike e kulturore, që është më e bukura nga të gjitha, dhe kjo është Shqipëria e Ismail Kadaresë, Shqipëria e veprës së tij.
Gjuha shqipe, gjuha jonë e përditshme, kurrë nuk e kishte arritur atë fuqi shprehëse që ne të gjithë gjejmë në veprën Tuaj. Kjo vepër është konfirmimi më i padiskutueshëm i barazisë së shqipes me çdo gjuhë tjetër si gjuhë letërsie e si mundësi për të shqiptuar e kënduar të gjitha kumtet e mundshme të kësaj bote, letrare, muzikore a shkencore qofshin. Këtu ne e kemi për detyrë të saktësojmë dhe rolin Tuaj vetjak për lartësimin e shqipes letrare si gjuhë e njësuar në mënyrë sovrane dhe vendimtare.
Përtej kësaj, e gjithë karriera Juaj ka qenë në shërbim të promovimit të identitetit historik dhe kulturor të shqiptarëve. Shqipëria tjetër, ajo e ndritshmja, qoftë dhe në prapësi, që gjendet në veprën Tuaj, është pa dyshim një arritje për të cilën brezat e shqiptarëve duhet t’Ju jenë dhe do të jenë përjetë mirënjohës.
Letërsia shqipe ka pritur plot pesë shekuj për të arritur atë që arriti me veprën Tuaj: të bëhet njëkohësisht letërsi europiane dhe fenomen botëror. Ju e lidhët atë me fillimin e fillimeve, veprën e Marin Barletit, e para vepër që e bëri dheun e Arbërit çështje të një qytetërimi të tërë. Prandaj mund të themi pa patetizëm se atë që bëri për mbrojtjen e Shqipërisë evropiane shpata dhe rezistenca e Skënderbeut në kohën e vet, Ju e bëtë në kohën tonë me penë dhe i vetëm. Miku dhe kolegu ynë e ka quajtur këtë Shqipëri Ismailand, duke përngjitur një idiomë të bukur të gjuhës angleze: Is my land, ky është vendi im, kjo është Shqipëria ime.
Shqipëria letrare e Ismail Kadaresë është një Shqipëri europiane. Kjo ceremoni mbahet në kohën kur jemi në përmbyllje të reformimit të Akademisë sonë të Shkencave, proces në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë dhe botën shkencore evropiane.
Modeli i Akademisë është përcaktuar tashmë dhe bashkë me të edhe projekt ligji i “Kodit të etikës në shkencë”. Në konceptin tonë Akademia e Shkencave është trashëgimi, para se të jetë institucion. Kjo trashëgimi nuk na takon vetëm ne, nuk i takon vetëm një brezi, por është e gjithë kontribuuesve të saj që prej themelimit të saj deri më sot. Ne kemi përgjegjësi kundrejt kësaj trashëgimie, me të cilën lidhen emrat e intelektualëve më të shquar të vendit nga Aleks Buda e Eqrem Ҫabej deri tek Ismail Kadareja.
Në emër të kësaj përgjegjësie jemi përfshirë në një proces vetëreformimi që ka qenë kryefjala e kësaj periudhe, me qëllim që Akademia e Shkencave të jetë në funksionet e veta të ligjshme, si institucioni që bashkon dijetarët, mendimtarët, shkencëtarët e krijuesit me rol të shquar intelektual në shoqëri; si institucioni që vetëpërtërihet me studiues të rinj që i sigurojnë asaj të ardhme; si institucioni që mbështet zhvillimin ekonomik të vendit e që mbron nderin, dinjitetin dhe deontologjinë shkencore; si institucioni që ruan përbërëset themelore të identitetit shqiptar: gjuhën tonë të përbashkët, traditën tonë origjinale, historinë dhe letërsinë shqipe. Ne kemi hedhur hapat e domosdoshëm, duke i dhënë vullnetit tonë shprehje ligjore dhe shpresojmë se projekti që kemi paraqitur të aprovohet në kohën e duhur nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Vjet ҫmimi i karrierës akademike udhëtoi në Kosovë, aty ku u nderua akademiku shekullor Idriz Ajeti, i cili për koicidencë mbushte atë ditë 100 vjeҫ. Sot ky ҫmim shkon për të nderuar një personalitet unikal, vepra e të cilit, pavarësisht moshës së autorit të Saj, do të rrojë mijëra vjet, në qindra gjuhë, në mbarë planetin, ashtu siҫ rrojnë dhe ҫmohen sot nga të gjithë epet e lashta dhe kultet e shenjta. Ky është Çmimi i Karrierës që juria ka vendosur t’Ju akordojë. Një çmim që nuk i nxë meritat Tuaja por vetëm i shenjon ato për të tjerët. Duke e pranuar sot atë, Ju na nderoni ne, Akademinë e Shkencave dhe sigurisht të gjithë ata që do të jenë fatlumë ta fitojnë atë në vitet e ardhshme. Atyre thjesht do t’u mjaftojë të thonë: “Këtë mirënjohje e ka fituar edhe Ismail Kadareja”. /Mapo.al/
Megjitheato lavderime qe i behen Kadarese (te merituara) , mua me habit fakti qe: Qe kur eshte qeveria e hajduteve ne krye te vendit, duke pare drogen,korrupsionin, shkaterrimin e çdo gjeje te dobishme, mungesen e qeverise per hallet e shtetasve te tije, mjekesine qe shte ne nivel me disa vende te pa zhvilluara te Afrikes, Kadaerja i madh nuk thote gjysem fjale?????