Kronika

AKEP: Të bllokohen adresat e basteve – Por të gjitha hapen, me një zgjidhje të lehtë

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka urdhëruar kompanitë e shërbimit të internetit të bllokojnë menjëherë adresat e kompanive që ofrojnë lojëra fati dhe baste online. Përmes dy shkresave të datave 4 dhe 7 janar, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ka dërguar në AKEP listën e adresave të internetit për të cilat duhet bllokuar aksesi nga territori i Republikës së Shqipërisë.


Në total, janë 343 adresa interneti që i takojnë kompanive shqiptare dhe të huaja, të cilat ofrojnë lojëra fati dhe baste online. AKEP ka njoftuar zyrtarisht të gjitha sipërmarrësit që ofrojnë shërbimin e internetit (ISP) për bllokimin e aksesit për të gjitha faqet web të dërguara nga AMLF.

AKEP shprehet se mbështetur në ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe rregullores së AKEP “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator që ofron shërbime të komunikimeve elektronike duhet të respektojë rigorozisht detyrimin ligjor për të marrë masat e duhura juridike dhe teknike për kufizimin e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme.

Çdo sipërmarrës pas marrjes së njoftimit nga AKEP, është i detyruar të veprojë menjëherë për ndërprerjen dhe bllokimin e transmetimit me përmbajtje të paligjshme, si dhe të njoftojë AKEP-in për mbylljen e aksesit të tyre.

Megjithatë, bllokimi i shumicës dërrmuese të adresave nuk është kryer dhe kjo mund të verifikohet shumë lehtë. Bllokimi i domaineve është aktiv vetëm nëse kërkon të hysh direkt në to; por, nëse domainet i gjen përmes një motori kërkimi dhe klikon mbi to, mund të hysh pa probleme. Kjo tregon se bllokimi i lojërave të fatit dhe basteve sportive online është një mision shumë i vështirë, jo vetëm për shkak të numrit tejet të madh të adresave që duhen raportuar dhe bllokuar, por edhe për shkak të vështirësive teknike./SCAN

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas