Një person ka vdekur, ndërsa djali dhe e shoqja janë plagosur rëndë në një aksident automobilistik që ndodhi në mbrëmjen e së dielës. Të gjithë personat e përfshirë në aksident kanë qenë pjesëtarë të familjes Resuli nga Patosi. Viktima është Refat Resuli rreth 65 vjeç, ndërsa të plagosur kanë mbetur gruaja e tij L. Resuli 45 vjeçe si dhe djali i tij B. Resuli rreth 28 vjeç. Ky i fundit ka qenë dhe drejtuesi i mjetit tip benz me targa FR 0879D.
Ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 17 00 në aksin rrugor Fier-Patos, në vendin e quajtur afër godinës së kompanisë së naftës Albpetrol. Mjeti i cili ka qenë duke lëvizur në drejtim të qytetit naftëtar të Patosit ka dalë nga aksi rrugor dhe është përplasur me një mur betoni në anë të rrugës. Përplasja ka qenë e fortë si pasojë kanë mbetur të plagosur të tre familjarët si drejtuesi i mjetit ashtu dhe 65-vjeçari i cili ka qenë në vendin e parë si pasagjer dhe që humbi jetën më vonë në spital.