Një aksident tragjik ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Lushnjë-Divjakë, në vendin e quajtur “Ura e Gradishtës”, ku dy persona kanë humbur jetën.
Një makinë tip “Benz”, drejtuar nga 51-vjeçari me inicialet A.S., është përplasur me motorin tip “Lifan”, dhe për pasojë është lënduar drejtuesi dhe pasagjeri i motoçikletës.
Mapo mëson se një nga viktimat është Igli Çuni, 22 vjeç.
Sipas informacionit paraprak, dy të plagosurit kanë ndërruar jetë në vendngjarje, duke mos i bërë dot ballë plagëve të marra.
Drejtuesi i mjetit, A.S., është shoqëruar në komisariat për veprime proceduriale. Sakaq, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e aksidentit fatal.
Njoftimi i Policisë:
Lushnjë
Informacion paraprak
Sot rreth orës 15:10, në aksin rrugor Lushnjë-Divjakë, në vendin e quajtur “Ura e Gradishtës”, shtetasi A. S., 51 vjeç, banues në Spolat, Lushnjë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” është përplasur me motomjetin tip “Lifan”.
Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe pasagjeri në motomjet,(ende të paidentifikuar) të cilët kanë ndërruar jetë.
Është shoqëruar drejtuesi i automjetit dhe po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.