Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reaguan pas aksidentit tragjik në Kroaci, ku 10 shqiptarë të Kosovës humbën jetën dhe 45 të tjerë u plagosën mëngjesin e kësaj të diele. 60 mërgimtarë po ktheheshin me autobus nga Gjermania me destinacion Prishtinën, për të kaluar pushimet e verës në Kosovë.
Në mesazhet e publikuara në rrjetet sociale Rama dhe Basha shprehen të pikëlluar për ngjarjen e rëndë si dhe kanë shprehur ngushëllime për familjet e viktimave.
Rama
“Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave”, shkroi Rama në Twitter.
Basha
“Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve”, ishte mesazhi i Bashës.
Xhaçka
Ngushëllime shprehën edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
“Keqardhje për humbjen tragjike të jetës së shtetasve kosovarë në Kroaci. Ndajmë dhimbjen me vëllezërit tanë dhe me zemër e mendje jemi pranë familjarëve dhe urojmë shërim të shpejtë për të lënduarit”, shkroi Xhaçka në Twitter.
Ruçi
“Me trishtim mora vesh lajmin për aksidentin e rëndë automobilistik që ndodhi në Kroaci, si pasojë e të cilit humbën jetën dhjetë qytetarë kosovarë dhe u lënduan rreth tridhjetë të tjerë. Shpreh ngushëllimet e Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat për familjet e motrave e vëllezërve tanë që humbën jetën dhe të plagosurve u uroj shërim të shpejtë. Kurajo e forcë për të përballuar këtë dhimbje të madhe!”, shkruan në mesazhin e tij Ruçi.
LEXO EDHE:
Tragjedi në Kroaci, aksidentohet autobusi nga Kosova, raportohen 10 të vdekur