Policia ka arritur që të arrestojë personin që sot aksidentoi për vdekje një këmbësor në qytetin e Burrelit. Në pranga ka rënë një 24-vjeçar i cili pas aksidentit u largua nga vendngjarja
Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit, pranë Postës Shqiptare, ndërsa viktimë mbeti Aqif Ruka, 55 vjeç.
Mediat lokale bëjnë të ditur se viktima ishte një personazh i njohur në Burrel. Aqif Ruka njihej ndryshe nga matjanët si “Rukja”.
Të shumta janë edhe komentet në rrjetet sociale për të. ““Rukja” pavarësisht fatkeqësive të pësuara në jetë mbahet mend për pozitivitetin që tregonte dhe sigurisht që mungesa e tij në rrugët e qytetit do të ndjehet”, raporton Tv Mati.
Shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta, por paraprakisht dyshohet shpejtësia e automjetit tej normave të lejuara.
Sipas dëshmitarëve okularë në vendngjarje nuk ka mbërritur as policia dhe as ambulanca për rreth 15 minuta, ndërsa spitali nga zona ku ka ndodhur aksidenti është vetëm 5 minuta larg.