Njëzet persona, mes tyre shqiptarë, raportohet se janë arrestuar gjatë një aksion të madh policor në Itali, Gjermani e Shqipëri.
Guardia di Finanza di Trento-s ka mbyllur këtë të hënë operacionin “Alba bianca” duke ekzekutuar 20 masa të arrestit me burg, të firmosura nga gjykata e Trentos me kërkesë të Prokurorisë. 16 prej tyre janë ekzekutuar në territorin italian, ndërsa 4 jashtë Italisë, në Gjermani e Shqipëri. Arrestimet e fundit pasojnë 10 arrestimet e kryera gjatë vitit të fundit, në kuadër të të njëjtit aksion.
Hetimet filluan në janar 2016 pas një konfiskimi të një sasie prej 93.1 kg kokainë nga Guardia di Finanza e Vipiteno-s në kufi me Austrinë. Pas këtij aksioni, hetimet morën një shtrirje ndërkombëtare teksa autoritete ligjzbatuese italiane bashkëpunuan me ato gjermane, belge shqiptare e malazeze.