Pas aktakuzës të ngritur nga Haga për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, kanë reaguar edhe aktorët politikë në Kosovë. Haradinaj shkruan se UÇK ka bërë luftë të pastër.
“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviçit.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës.
Ne besojmë në pafajësinë e presidentit Thaçi, kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftetarëve të tjerë”, shkroi Haradinaj në “Facebook”.
Kurti
Edhe Albin Kurti ka reaguar pas ngritjes së akuzave nga Haga.
“E di që lufta çlirimtare e UÇK-se është luftë e drejtë, është luftë kundër një agresori dhe okupatori, i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët, invalidët e UÇK-së edhe historikisht janë në të drejtën e tyre dhe tonë”.
Kurti ka thënë se Kosova është dashur që moti ta ketë gjyqësinë e vet të pavarur dhe të paanshme që të hetojë, gjykojë dhe dënojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes, mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë.
Reagimi i Isa Mustafës:
“Besoj thellë se lufta e UÇK-së ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”.