Editorial

Akti i fundit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:17 - 17/05/20 |
Mapo.al

Kur pak ditë më parë Freedom House duke analizuar Shqipërinë u shpreh se ka ardhur një moment që nuk respektohet më as fasada e demokracisë, nuk qe luajtur ende akti i fundit i dramës së Teatrit.


Me rënien e teatrit, tanimë ra dhe u bë thërrime edhe kinse-fasada.


Sepse u mor një vendim me dhunë, arbitraritet, pa marrë në konsideratë artistët, aktorët e shoqërisë civile, pa respektuar institucionet si Presidenti, KLSH, apo Europa Nostra, dhe pa pritur hetimet që po bënte SPAK, apo një shtyrtim të Gjykatës Kushtetuese.


Sigurisht, pa patur në konsideratë edhe Opozitën, edhe pse në rastin më të keq, përfaqëson gjysmën e popullit.


Rrënojat e Teatrit dhe sidomos mënyra se si u veprua, natën dhe me qindra trupa policore me në krye ato të RENEA që dalin nga kapanoni vetëm për kriminelët e rrezikshëm, na tregojnë në mënyrë ulëritëse se Edi Rama nuk kujdeset më as për dukjen, aparencën.

Pra, nëse i teket të shembë një godinë, një monument të trashëgimisë, të ndërmarrë një projekt, një trill, një shajni çfarëdo, nëse i feks në kokë të ndryshojë edhe historinë, ai thjesht e bën.

Dhe Fatos Lubonja ishte sot në një zor të madh në një analizë, kur nuk po dinte si ta shpjegonte se si mbërritëm në këtë ditë. Qe një e keqe, një bandë mafioze në pushtet, po shqeyn e grabit çdo gjë, pa teklif.

Vetëm se pas kësaj të Teatrit ka një ndryshim jo të vogël.

Edi Rama nuk gëzon më asnjë lloj konsensusi në atë që bën. Nëse kishte militantët e tij, dhe grupe të caktuara të korruptuara, të blera, apo të shantazhuara, tanimë të vetmit që u merr pëlqimin, janë trupat ushtarake për shkak të hireakisë dhe urdhërit, ministrat, dy-tre prej mediave që i mëkon dhe i ka partnere në biznes, një grusht biznesmenësh, dhe këpucëlustruesin personal në Bashkinë e Tiranës.

A mjafton të qeverisësh një vend me kaq pak konsensus? Jo, afërmendsh. Por kaq mjafton ta sundosh një vend. Sunduesit kanë një veti që shkërmoqen menjëherë edhe kur duken më të fuqishëm se kurrë.

Optimizëm i madh dhe budalla do të ishte ai që shëtit në kokën e rilindasve, se puna e teatrit mbaroi me fadromat. Aty ka nisur një krisje e madhe, dhe kjo e sotmja ishte fundi i një bashkëjetese civile në vend.

Dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, është i identifikuar se kush e solli këtë ndasi, këtë shemri, këtë armiqësi mes nesh.

Mapo.al

 

 

 


Etiketa: , , ,

Pas