Është ndër të parat vajza e cila është përfshirë si aktiviste në aleancën LGBTI si dhe ka pranuar hapur orientimin e saj seksual ndaj gjinisë së njëjtë.
Xheni Karaj, Drejtore Ekzekutive e Aleancës LGBTI, ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të rrëfyer se si kanë kaluar etapat e ndryshme në jetën e saj nga momenti kur e kuptoi se ndjente për femrat dhe përballja me familjen.
“Prindërit e mi e kanë marrë vesh nga një emision ku unë kisha dalë me fytyrë të mbuluar dhe diskutoja rreth dashurisë mes femrave. Por gjatë emisionit nuk na ndryshuan zërin, kështu e morën vesh, nuk është se ia thash unë hapur. Ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time, sepse unë do përballesha me frikën time më të madhe. Për fat të mirë kam dy prindër të mrekullueshëm”.
“Ai momenti në “Opinion” është momenti i daljes publike. Kur del në televizion kthehesh në faktor. Ka qenë i pamenduar. Ishte një debat për paradën në 2012-n. Para se të shkoja në studio mamaja ime më tha: “Të keqen mami mos fol”.
Dhe në fakt unë nuk kisha në plan të flisja, doja thjeshtë të mbështesja shokun tim, Kristin. Sepse i kisha premtuar familjes që nuk do deklarohesha. Por debati u bë shumë i zjarrtë, madje pati dhe shumë kërcënime ndaj Kristit. Ishte një moment që i thashë vetes nëse nuk flet tani, nuk do flasësh kurrë në jetën tënde, do rrish me kokën ulur. E kam marrë mikrofonin pa ditur se çfarë do thoja, pashë dhe kamerat u stepa në një moment, por e rëndësishme ishte të jepja mesazhin ndaj komunitetit që nuk jeni vetëm. Ishte moment i vështirë”, tregoi Karaj tek “Rudina”.