Aktualitet

Aktorët kallëzim penal për 3 inxhinierët që kërkuan shembjen e Teatrit





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:35 - 15/05/20 |
mapo.al

Artistët kanë nisur betejën ligjore për të mbrojtur Teatrin Kombëtar nga vendimi i qeverisë dhe bashkisë për ta shembur.


Ata dorëzuan sot në Prokurori e Tiranës kallëzimin penal ndaj tre inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit, që sipas artistëve nuk kanë ardhur asnjëherë në objekt për të bërë aktin e ekspertimit.


Tre inxhinierët e kallëzuar janë Artur Hasantare me funksion përgjegjës sektori pranë Institutit të Ndërtimit, Olsi Nunaj me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit dhe Elbarina Kola me funksion specialist pranë Institutit të Ndërtimit.


Artistët thonë se inxhinierët kanë dhënë fakte të rreme në raportin e tyre të hartuar pa dalë nga zyra, duke mos shkuar fare në objekt.


“3 nga 5 inxhinierët nuk kanë qenë asnjëherë në objekt. Këta tre specialistë i kanë propozuar bashkisë dhe këshillit të bashkisë shembjen e objektit pa ardhur dhe konstatuar objektin. Ata duhet të kishin ardhur ta këqyrnin. Këta nuk kanë qenë në aktin e 2018, janë të futur rishtazi dhe duket që janë të përdorur për të firmosur këtë akt, për të cilin bashkia mori vendimin për ta prishur. Nuk ka akt të ri konstatimi. Ky akt konstatim është bërë në zyra. Ne i padisim tre inxhinierët e institutit të ndërtimit për shpërdorim detyre”, tha një prej përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Këshilli bashkiak vendosi dje për shembjen e Teatrit Kombëtar, pasi miratoi një akt-ekspertizë të Institutit të Ndërtimit në mars 2018 dhe një raporti në 13 maj të këtij viti.

Në të dy dokumentet mungojnë elemente thelbësore për procesin e kontrollit.

Ato nuk kanë analiza laboratorike dhe nuk kanë llogaritje mbi konstruksionin qendror të objektit.

Aleanca deklaroi se raporti, që miratoi këshilli bashkiak është një dokument i paligjshëm bazuar në të pavërteta, ndaj i kërkoi prokurorisë të hetojë mbi shkeljet ligjore të inxhinierëve, që shtynë edhe pushtetin vendor në një vendim të paligjshëm.

Teatri Kombëtar u kthye sërish në qendër të vëmendjes këtë javë, pasi qeveria vendosi të kalojë truallin e tij nga ministria e kulturës në pronësi të bashkisë së Tiranës dhe kjo e fundit vendosi shpejt shembjen e tij.

Drejtuesit e qeverisë dhe të bashkisë deklarojnë se në truallin e Teatrit Kombëtar është projektuar të ngrihet një teatër i ri.

Presidenti i Republikës ka paditur në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë të truallit tek bashkia e Tiranës, ndërsa më parë ka paditur edhe ligjin special Fusha, që synonte të njëjtën gjë, shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një të riu po aty.

Ndërkaq në një intervistë për Fax News, Robert Budina, tha se nëse ndodh përplasje ato janë të gatshëm në çdo rast sulmi.

“Nëse ndodh një përplasje kanë detyrimin të jenë këtu ambasadorët. Tani do të bëjmë një mbledhje në rast sulmi. Jemi përgatitur të rezistojmë. Nëse ndodh diçka lajmi do të shkojë direkte në Parlamentin Europian. E dimë që kjo është një lojë imazhi. Ato kanë gënjyer dhe kanë thënë se çështja është politizuar. Kjo është kthyer në një tribunë të qytetarisë”– tha Budina.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas