Le të flasim pak se çfarë ndodh me dikë, kur nuk respekton objektet e kultit në botë, dhe për dikë që bën të njëjtën gjë në Shqipëri. Si reagojnë njerëzit dhe si reagojnë personazhet e përfshirë?
Ylli i filmit “Aquaman” Jason Momoa ndodhet në Romë, për xhirimin e filmit “Fast X”, kësti i 10-të në sagën e filmit “Fast & Furious”. Për këtë arsye, ai ka ekploruar bukuritë e kryeqytetit italian, ndërsa për fansat bëri të ditur një foto nga Kapela Sistine, teksa qëndronte poshtë pikturave të famshme të Michelangelo. “Të DUA ITALI, sa fillim i bukur i ditës sonë, duke shijuar ROMËN”, shkruante ai.
Por fansat e pakënaqur, vunë në dukje se vizitorëve zakonisht u ndalohet të bëjnë foto ose video në Kapela Sistinë, e cila ndodhet në qytetin e Vatikanit.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i aktroit. Ai publikoi një video të shkurtër nga momenti i stërvitjes së tij, ku nuk la pa përmendur as polemikat e shkaktuara.
“Është dita ime e fundit në Romë dhe unë thjesht të dua ty dhe Italinë”, tha ai. “Nëse keni menduar ndonjëherë se nuk kam respektuar kulturën tuaj, nuk ishte ky qëllimi im.”
Ai përmendi se kishte vizituar më parë Vatikanin dhe Kapelën Sistine kur ishte 19 ose 20 vjeç. Për udhëtimin aktual, ai dha një “donacion” në mënyrë që miqtë dhe anëtarët e ekipit të filmit t’i bashkoheshin atij në ditët e pushimit nga xhirimet e “Fast X.”
“Isha shumë i respektuar dhe kërkova leje për atë që mendoja se do të ishte në rregull. Nuk do të doja kurrë të bëja asgjë për të mos respektuar kulturën e dikujt. Kështu që nëse e bëra, kërkoj falje”.
“Pagova patjetër për të pasur atë moment privat dhe dhashë një donacion të bukur për kishën”, shtoi ai.
View this post on Instagram
Në rregull, le të kthehemi në Shqipëri.
Aktorët e njohur për publikun shqiptar, Donald dhe Romeo Veshaj, përveç industrisë së humorit dhe televizionit, janë përfshirë edhe në industrinë e muzikës, Së fundi, ata kanë publikuar këngën “Picasso”, videoklipi i së cilës u xhiruar në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë.
Kënga rrëmbeu vëmendje për performancën e tyre, por askush nuk foli për vendin ku u xhirua videoklipi. Ishte pikërisht një avokat nga Korça, Esmerald Xhafa, I cili lajmëronte në rrjetet sociale se kishte paditur Ministrinë e Kulturës, drejtorin e muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe drejtorin e Muzeut të Fotografisë “Gjon Mili”, pasi kanë lejuar zhvillimin e klipit muzikor në këto ambiente.
“Është iniciativë e imja personale, kur pashë pamjet që janë përdorur. Artin e duan të gjithë, por duke bërë atë art nuk mund të përdhosin këtë art. Nuk kam parë klip në muzeut të kësaj kategorie, ndoshta ne jemi një vend që plotëson dëshirat e VIP-ve, Duke qenë një iniciativë e imja personale do e ndjek deri tani”, tha avokati.
Lidhur me ngjarjen, ka reaguar edhe drejtoresha e muzeut të artit mesjetar Fjoralba Prifti, e cila ka thënë se këngëtarët kanë marrë leje dhe se gjatë regjistrimit nuk është bërë asnjë padrejtësi kundrejt rregullave të etikës.
“Muzeu është një institucion shtetëror laik, dhe nuk është bërë asnjë padrejtësi kundrejt rregullave të etikës”, tha Prifti.
Në të njëjtën linjë ishte edhe Ministria e Kulturës, e cila deklaroi për Report TV, se gjithçka ishte bërë konform Ligjit të Trashëgimisë Kulturore dhe Muzetë, 2018, duke shtuar se artistët kishin paguar tarifën e caktua, si dhe kishin specifikuar se xhirime do të shërbenin për të promovuar këtë muze si atraksion kulturor.
Nga ana tjetër, Kisha Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ka reaguar e indinjuar, duke e cilësuar si një përdhosje ndaj objekteve liturgjike. Ajo e cilëson si një shenjë e mosrespektimit të vlerave shpirtërore, dhe thotë se muzika e luajtur është e papërshtatshme për të tillë ambiente
“Ky mjedis është krejt i papërshtatshëm, për vlerat që pasqyron, për promovimin e një lloji të tillë muzike. Aty, në respekt të traditës dhe kulturës që i ka krijuar këto objekte të shenjta, do përshtateshin tingujt e Muzikës Bizantine dhe jo tinguj që i fyejnë ato dhe trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Ikonat janë objekte liturgjike të shenjta, të cilave besimtarët orthodhoksë iu afrohen me nderim dhe respekt të veçantë. Prandaj, është e papranueshme dhe e dhimbshme, që ato të trajtohen në mënyrë të papërgjegjshme nga ato institucione, të cilat pretendohet se duhet t’i ruajnë dhe t’i mbrojnë”, thuhej në reagim, duke kërkuar nga Ministria e Kulturës, të tregohet më e kujdesshme ndaj këtyre përdhosjeve.
Ndërkohë që pakënaqësitë vazhdojnë, nga ana e këngëtarëve nuk ka asnjë reagim. Ata nuk kanë denjuar të komentojnë këtë situatë, e aq më tepër të kërkojnë falje. /Liberale.al