Shqipëria është një vend shumë interesant, me kaq zhvillime sa nuk të lënë kohë as të mendosh, as të marrësh frymë. Fjala bie, prej tre ditësh, kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar se do të nxirrte fakte të forta të hënën për çështjen e Babales.
Por zhvillimet në Fushë Krujë, ku banesës së Xhisiela Malokut iu vendos tritol, e lanë plotësisht në heshtje deklaratën e Ramës në mëngjes.
Në vija të përgjithshme, Edi Rama tha se ka një provë të fortë se Babalja ishte një montazh.
“Vëllai i ministrit në atë përgjim është një mjeran i joshur për të luajtur atë rol në këmbim të parave. Atë ditë kur fola, kisha konfirmimin nga një laborator ndërkombëtar. Nuk është vetëm analiza shkencore, por vetë aktori i pa paguar sipas premtimit të Bashës, që i ka dalë për zot zërit të vet në përgjim,” tha Rama.
“Nuk të vjen zëri dhe s’ke faj! E di dhe unë sa thellë je futur miku im po s’të ndihmoj dot. Nuk ecet me teatër se ja si vjen puna, del një aktor i papaguar e të nxjerr cullak!” vijoi Rama më vonë, duke iu drejtuar Lulzim Bashës.
Ndërkohë mësohet se opozita i mbetet variantit të saj, duke këmbëngulur se Babalja nuk është një montazh. Sipas saj, prokuroria nuk ka hetuar në themel këtë çështje. Nga ana tjetër, për ta duket i çuditshëm fakti se Prokuroria e Krimeve të Rënda po merret me një moskallëzim krimi.
Për Edi Ramën, ky është një presion ndaj organit të akuzës, por opozita thotë se Italia nuk e mori përsipër ekspertizën e audios, por atë e kreu laboratori në Angli.
Fakt është se kjo çështje nuk është e mbyllur këtu për opozitën.
JANË MUSHKONJA… POR PASI I NGECI RROTA NË RËRËN E DIVJAKËS, MUSHKONJA U SHNDRUA NË AVJON TRAFIKU!!!