Aktorja e njohur Jane Fonda është arrestuar dy herë brenda muajit tetor në Capitol Hill (Washington), përgjatë protestave për ndryshimet klimatike. Ajo është vendosur në pranga, nën akuzën e demonstrimit të paligjshëm.
Fonda është shprehur së fundmi për “The Times” se është e gatshme të arrestohet çdo javë, përsa kohë që do të vazhdojë të kërkojë veprime konkrete mbi krizën e klimës.
“Ne mund ta bëjmë këtë!Ne kemi nevojë për një lëvizje të madhe, po aq të madhe sa dhe problemi që na parashtrohet”, ka thënë 81-vjeçarja në protestë, sipas CBS News. Nën të njëjtën akuzë, janë arrestuar edhe 17 demonstrues të tjerë.
Fituesja e çmimit Oskar ka bërë me dije se, ka ndërmarrë iniciativën për të protestuar çdo të premte për çështjet e klimës, pasi është frymëzuar nga adoleshentja Greta Thunberg. Kjo e fundit ka zgjedhur pikërisht këtë ditë të javës për të protestuar përpara parlamentit suedez.