Mapo Letrare

Akuarel vienez






               Publikuar në : 16:44 - 20/04/19 |
mapo.al

Gentiana Kone

Nuk po më kap gjumi sot. Vazhdoj me e tërhjek për puplash, por ai më ikën, duke më lanë nëpër gishta vetem nji, atë më t’butën. Marr një letër e nis me t’shkruejt me shkronja që baresin, në fjalë që n’hapa shndërrohen e për te ty nisen me ardhë nëpër natë.
Toka asht e lagësht e pemët lëkunden lehtaz, me mallin e kujtimeve gjethe. Kaloj parkun mbrapa Albertinës, ku Shtëpia e Flutrave lëshon një dritë të qetë, përgjumëse. Nuk di nëse kujtimi i të ftohtit jasht e i borës një vit më parë po në këtë kohë, ban që flutrat e ardhshme të rrinë akoma në larvë, në pritje të kohëve më të mira. Shkallët e gjana i zbres ngadalë, duke u rujt mos me shqetsu imazhin e studentëve të ulun në to verën e shkuar. Pranë shatërvanit ndaloj e çuditun e kundroj metamorfozën e tij, tashmë që ujin ia kan hjek dhe engjëjt rreth tij i kanë mbulu. Një qenie t’bukun me e lanë pa tesha, besoj se ka për t’qenë edhe ma tërheqëse, por jo në këtë rast. Tek uji asht magjia e tij e pa të, ai është i humbun.
Në të djathtë ndodhet statuja e kalit të parë të bronztë, që është vendos në Vienë. E kanë pastru e rrëzëllit, aq sa gati s’e njoh, në një ngjyrë që s’ka asgjë familjare me jeshilen në t’kaltërt që ky metal vesh me kalimin e stinëve. I ka kthy shpinën me mospërfillje Moxartit dhe ban sikur nuk ven re nëse para këtij të fundit kanë mbjellë lule apo jo, në formën e një solfezhi. Engjëjt e buzëqeshun rreth tij gazmojnë e bajnë për vete gjithkënd me ojnat e tyne.
Në një cep gati të humbun në të majtë, statuja e Franz Jozefit rrin në kamb, e kërrusun nga pesha e vendimeve dhe dyshimet që çdo njana prej tyne bjen. Teksa Gëte kundron ringun nga froni i tij gati perandorak, figura e Franz Jozefit ndodhet me shpinë të kthyer nga Ringu. Atë që e krijoi e dha kaq shumë për perandorinë, shtetasit e kanë dënu mos ta shohë kurrë më krijesën e tij nga më të dashunat.
Përshkoj metrat e fundit dhe kangjellat e mëdha perandorake mbyllen pas meje. Udha e ringut me vargun katërsh të blirëve cupullakë, nuk duket aq e gjanë sa në maj, kur dehesh nga aroma e luleve të tyne.
Më tej, Mariahilfe str e ndriçume nga dritat e Krishtlindjeve në formë fjongosh që lidhen nga pema në pemë, më pret si presim një të njohun të vjetër. Tashmë ma njeh ritmin e hapave e peshën e kujtimeve. Eci ngadalë e shijoj heshtjen përreth. Era asht e përmbajtun e fasadat e lyme me t’bardhë, s’kanë asnji shenjë drite në sytë dritsore. Pa kuptu, kam arrit shpejt aty ku kthesën marr, tek Esterházy gasse. Hapat tashmë s’ndigjohen e rruga me emnin e tribusë së famshme hungareze, më kundron mirëdashëse. Dy silueta të kapun për dore në anën tjetër të rrugës flasin me gjallni e gjestikulacione, që nuk lejnë me dyshu për prejardhjen e tyne italiane. E ndigjoj tingullin e amël të gjuhës së dashun e n’mendje m’vjen “ I ragazzi che si amano” të Jacque Prever.
Të lexoj ty, me mendje, vargjet e para me za të ulët dhe shoh syun tand, që ndriçohet butë. M’kujton atë dritën vezulliane, që deti merrte kur ishim bashkë në të, e pendëndritunat fluturojshin në hapësirën blu pasqyrë sipër nesh. Sa të vegjël, fëmijë ishim në atë hapësirë të pamatë! Më t’vegjël akoma se ajo kokrra e rërës që shtypej nga gjurmët tona. M’kujton…


E vogla kokër e rërës
shtypur nga mijëra këmbë
shtyrë nga valë parreshtur
na pret ende në breg
aty ku u ulëm
një vit më parë!

Mbas një kurbëzimi të butë, udha mbaron te beli i Gumpendorfestrasse dhe gjarpërimi i saj i pafund më sjell pyetjen e pashmangshme:
Po më tej, pas janarit? Çfarë ndodhet përtej tij?

Vienë , 2019

 


Etiketa: ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas