Drejtuesve të klubit korçar të futbollit iu duhet sërish të marrnin një tjetër vendim për vendin ku do të luhet sfida Skënderbeu-Flamurtari. Ndonëse është bërë e mundur që të hiqen sasitë e mëdha të dëborës nga fusha e stadiumit bardhekuq, ajo nuk mundëson zhvillimin e një ndeshje normale. Drejtori teknik i klubit të futbollit, Ilirjan Përmeti, ka bërë zyrtar lajmin për takimin e rizhvendosur edhe njëherë për në fushën pogradecare. Temperaturat e ulëta që vijojnë të jenë prezentë në qytetin e Korçës e kanë kthyer në një kallkan të vërtetë fushën e këtij stadiumi. Në këto kushte zhvillimi i ndeshjes në të duket i pamundur dhe mund të dëmtonte lojtarët nëse do të zhvillohej aty. Në fakt korçarët kanë shpresuar që ta nisin në shtëpinë e tyre sfidën e parë të vitit 2012, por fati nuk ka qënë aspak me ta, ndërsa moti vazhdon ti mundojë pa fund. Në këto kushte është gjetur një zgjidhje e cila ka ekzistuar edhe më parë, madje ka qënë e tillë edhe gjatë të shtunës, kur ishte njoftuar se ndeshja do të luhej aty. Tani nuk ka më kohë për të humbur, por dhe për të pritur se temperaturat e ulëta, ngricat dhe i ftohti polar nuk kanë ndërmend të largohen nga Korça. “Kemi vendosur që këtë takim të shtyrë edhe disa ditë më pare për të njëjtat arsye, përfundimisht ta zhvillojë në stadiumin e qytetit të Pogradecit. Megjithëse ne mundëm të pastronim fushën nga bora e madhe, kushtet e e saj nuk janë aspak normale. Fusha është e gjitha në akull dhe kjo nuk mundëson një lojë në kushte normale për asnjë nga ekipet që do të jenë në fushën e lojës. Ndaj dhe vendimi ishte që përfundimisht ky takim shumë i rëndësishëm për ne të zhvillohet në qytetin fqinj të Pogradecit. Ne nuk mund të rrezikonim lojtarët të luanin në një cipë akulli, ndaj dhe kemi vendosur në mirkuptimin e FSHF-së që këtë takim të mos e luajmë në Korçë për të mos dëmtuar askënd”, ka theksuar në prononcimin e tij Përmeti. Ndërkaq korçarët kanë nisur përgatitjet pë sfidën në Pogradec, ndërsa nuk kanë lënë mënjanë as kujdesin për fushën në stadiumin e tyre. Megjithëse bardhekuqtë do të dëshironin që ky takim i tyre i parë të luhej në Korçë, kjo gjë nuk është mundësuar megjithë përpjekjet e vazhdueshme.
Irena Vreto
Kupa e Shqipërisë
Rezultatet
Grupi A
Kastrioti – Kamza 0-0
Bylis – Tirana 0-0
Grupi B
Vllaznia – Laçi 2-0
Të martën
Skënderbeu – Flamurtari 14:00