Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas akuzave të opozitës lidhur me një tokë në bregdet. Xhaçka tha se, nuk ka shkelur asnjë ligj, as ajo, as bashkëshorti i saj dhe as kryeministri Edi Rama.
“Përgjigja e shkurtër është që jo, nuk kam shkelur asnjë ligj as unë, as bashkëshorti im, as qeveria, as kryeministri e askush. Nuk jam në konflikt interesi as unë e askush. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e opozitës, edhe kolegu që i ka hipur kësaj furtune në gotë si ta kishte kalë beteje. Ose nëse nuk e dinë, do të bënin mirë të merrnin një jurist t’ua shpjegonte, sepse është turp të jesh në këtë parlament, të pretendosh që përfaqëson interesat e një pjese të elektoratit e të bësh oponencën e qeverisë, e të mos kuptosh as ligjet për të cilat flet. Që unë nuk jam në konflikt interesi, këtë nuk e them vetëm unë sepse po ta thosha vetëm unë do të ishte fjala e deputetit Shehaj përballë fjalës time. Këtë e thotë ligji, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, e ka thënë ILDKPI”, u shpreh Xhaçka.
Ndërkohë që, deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj, i cili kishte kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama shprehu shqetësimin e tij për vendimin e qeverisë, që sipas tij i ka falur pronën publike në Himarë, familjes së ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
“Pse mendoni ju se Rama dhe Xhaçka nuk marrin as mundimin më të vogël të fshehin vjedhjen? Sepse ato pak metër katrorë për ata nuk janë asgjë në krahasim me 400 mln euro e inceneratorëve. Ndaj afera për të cilën flasim sot tregon një qeveri që mblidhet për ti dhënë përfitime nga fondet publike një anëtari të kabinetit. Më 2 mars Komiteti për Investimet Strategjike vendosi miratimin për Drimadhes Luxury Suite. Me firmë të kryeministrit. A e dinte kryeministri se me këtë firmë i dha ministres së jashtme statusin e investitorit strategjik? I fali plazhin publik për 30 vjet ministres. A e dinte se përmes këtij vendimi po i falte taksat ministres së Jashtme? E dinte shumë mirë se kompania AGTÇ Shpk është në pronësi të zotit Gaçi, bashkëshortit të ministres. Ishin të vetëdijshëm se kishin bërë një krim. Familja Xhaçka e dinte se përfitimet ishin në shkelje të Kushtetutës. Dhe për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me emër shumë të ngjashëm me të parën, por jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të afërt. Tre javë pas ndryshimit të emrit të kësaj kompanie, Edi Rama ndryshoi vendimin”, u shpreh Shehaj më herët në Kuvend.