Avokati i Plarent Dervishajt ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që bien mbi klientin e tij për dy atentatet e përgjakshme në Tiranë (2005) – eliminimin me tritol të biznesmenit Vajdin Lame në ashensorin e tij privat në një pallat shumëkatësh pranë Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës, dhe ekzekutimin e Klodian Saliut në autostradën Tiranë-Durrës.
Në një deklaratë për mediat, Aleksandër Ndrejaj tha se Plarent Dervishaj nuk ka lidhje me ngjarjet.
“Dervishaj nuk ka lidhje me dy ngjarjet e përmendura nga SPAK. Pas gjithë këtyre paçavureve fshihen interesa politike dhe nuk i shërbejnë drejtësisë për zbardhjen e së vërtetës”, – tha avokati Ndrejaj.
Ndrejaj shtoi se klienti i tij nuk e njeh dëshmitarin Luftar Reçin dhe as ka dijeni për të.
Plarent Dervishaj është shpallur në kërkim së bashku me të shoqin e së motrës, Lulzim Berisha.
Në njoftimin e SPAK thuhej se hetimet për vrasjet në vitin 2005 ishin pezulluar shumë vite më parë dhe janë rihapur në vitin 2020.
Më 2 dhjetor të këtij viti gjykata vendosi masë sigurie “arrest me burg” për ta, si dhe për Indrit Taullaun e Luftëtar Reçin.
Por Dervishaj dhe Berisha, ndryshe nga Taullau dhe Reçi, rezultojnë në arrati.