Denoncimi i publik i një vajze minorene në Ora News se e ka ngacmuar seksualisht mësuesi, ka tronditur opinionin publik.
Xhaxha i 11-vjeçares nga fshati Kalasë në Delvinë, ka thënë për Ora News se nëse nuk vepron ligji për mësuesin Neshat Tepelena, do të bëjnë vetëgjyqësi.
Ndërsa kryeplaku i fshatit, Ferdin Xhaferri është shprehur se Tepelena është përballur me një rast të ngjashëm edhe në vitin 2003.
Sipas Xhaferrit çështja në atë kohë u mbyll vetëm me një vërejtje me shkrim.
“Çështja ka shkuar edhe te seksioni i arsimit dhe është protokolluar në nëntor të vitit 2003. Në atë kohë kjo çështja u mbyll me një vërejtje me shkrim për mësuesin Neshat Tepelena. Ai e ka në dosjen e tij të punës vërejtjen me shkrim.”
Banorët kanë treguar për Ora News se ai ka ngacmuar seksualisht edhe vajzën e kolegut të tij.
Sipas tyre ngjarja ka ndodhur 2 javë para publikimit të rastit të vajzës 11-vjeçare të fshatit Kalasë.
Neshat Tepelena është arrestuar nga Policia e Delvinës me akuzën për ngacmim seksual.
Skandali dyshohet se ka ndodhur rreth dy muaj më parë në ambientet e shkollës “Ali Hajdini” në fshatin Kalasë të Delvinës, por u mbajt i fshehur nga familja e nxënëses për shkak të opinionit.
Ata thyen heshtjen të shtunën, dhe vetem pak orë pas denoncimit publik mësuesi u shoqërua për në komisariatin e Policisë së Delvinës.
Por siç mëson Ora News, 60-vjeçari ka mohuar akuzat në dëshminë e parë në polici.
Ai është shprehur se e ka trajtuar 11-vjeçaren si të gjithë nxënësit e tjerë të shkollës ku jepte mësim deri pak muaj më parë.