Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy tha se akuzat se ka marrë fonde për fushatën nga lideri i ndjerë libian, Muammar Gaddafi, ia kanë bërë jetën “një ferr”.
“Po më akuzojnë pa asnjë provë fizike,” tha ai përpara gjykatësve.
Ai është nën hetim për financim të paligjshëm të fushatës së vitit 2007 me fonde publike libiane.
63-vjeçari ka mohuar akuzat.
Politikani i qendrës së djathtë, që ka qenë në rajon policor për dy ditë, tha se akuzatorët libianë po kërkojnë hakmarrje për vendimin e tij që të dërgonte avionë luftarakë gjatë trazirave për rrëzimin e Gaddafi-t në vitin 2011.
Akuzat ndaj Sarkozy janë bërë nga një biznesmen franko-libanez, Ziad Takieddine dhe disa prej ish-zyrtarëve të regjimit të Gaddafi-t.
Takieddine i tha mediave se në vitin 2006-2007 ka dorëzuar tre valixhe të mbushura me kartmonedha 200 dhe 500-euroshe tek Sarkozy dhe ish-shefi i stafit të tij.
Në total mendohet se ishin 5 milionë euro të ardhura nga Gaddafi.