Një 55-vjeçar i akuzuar për ngacmim seksual të një 13-vjeçareje, ka mbërritur mesditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë Berat, për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tij.
Ka qenë prokurori Dritan Gripshi ai që i ka kërkuar gjyqtares Klejda Çapja vlerësimin “të ligjshëm” të arrestimit të A.Çela, nga fshati Kutalli i Beratit, dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” me afat 20-ditë.
Ky afat sipas prokurorit është i mjaftueshëm për të grumbulluar provat e nevojshme, për pyetjen e dëshmitarëve të ngjarjes, ballafaqimet midis palëve dhe për të kryer edhe ekzaminimin mjekësor të 13-vjeçares.
Gjatë seancës, por edhe marrjes në pyetje nga grupi hetimor, 55-vjeçari A. Çela nuk e ka pranuar akuzën.
Ai ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk e ka prekur asnjëherë vajzën dhe se këto akuza të turpshme janë shpifje dhe trillime të familjarëve të saj, me të cilët është prej disa vitesh në konflikt të hapur për pronësinë e një toke.