Mbetjet duhet të shkatërrohen në kuadër të planit kombëtar të heqjes së mbetjeve të rrezikshme. Specialistët thonë se ato kanë bashkëvepruar duke e rënduar situatën
Rreth 80 ton mbetje kimikate të rrezikshme gjenden në ambientet e ish-Uzinës Azotik Fier. Ato qëndrojnë në një magazinë, e cila është jashtë të gjitha kushteve teknike. Kimikatet janë të shumëllojshme dhe solucionet kanë ndërvepruar me njëri-tjetrin gjatë gjithë këtyre viteve, duke dhënë komponime zinxhir që sipas specialistëve japin veprime me veti toksikuese. Sipas një shkrese përcjellëse të drejtorisë së ish-Azotikut, dërguar Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës si dhe Ministrisë së Mjedisit, mbetjet kimike janë karbonat kaliumi, rreth 50 mijë kg, mbetjet të llumrave të arsenikut, të paketuara në bidonë plastikë fenolftaleinë, metiloraxh, substance puferike, silkate, komponime të squfurit litiumit. Përballë situatës së krijuar, përfaqësues të drejtorisë së ish-Azotikut kanë pohuar se po ruajnë këto ambiente me shërbim rojë, por gjendja aktuale e këtij kompleksi të prodhimit të plehrave kimike lë shumë për të dëshiruar. Si pasojë e procesit të demolimit gjithçka është e shkatërruar dhe rreziku i toksikimit të ajrit dhe shëndetit të popullsisë është i pranishëm.
Juristi i ndërmarrjes, Julian Hoxhaj tha se në planin e një strategjie kombëtare pritet që mbetjet të hiqen nga ambientet e ish-Azotikut Fier. “Ne i kemi dërguar një shkresë Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Mjedisit dhe jemi në pritje që në kuadër të planit kombëtar të heqjes së mbetjeve të rrezikshme të eliminojmë këto mbetje”, – tha ai. Të njëjtën deklaratë dha edhe drejtori i emergjencave civile në institucionin e Prefektit të Qarkut, Viron Balla.
Ai deklaroi se në bazë të projektit kombëtar për mbetjet e rrezikshme, kjo sasi do të eliminohet shumë shpejt. Në ish-Uzinën e Azotikut, përveç këtyre mbetjeve të rrezikshme gjenden edhe tonelata kimikate të ndryshme në një vend të hapur dhe pa asnjë mbrojtje. Situata është e njohur edhe nga Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit, e cila nuk ka dashur të prononcohet për këtë fakt, duke u shprehur se janë përgjegjës drejtuesit e ish-Azotikut që duhet të largojnë mbetjet kimikate nga ambientet e uzinës tashmë në proces privatizimi.